Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të rekomandojë përdorimin e forcës në pajtim me rezolutën e që e kishte aprovuar në vitin 1950 nëse Këshilli i Sigurimit dështon që t’i ndalë sulmet e Izraelit në Gazë dhe Liban, shkruan Reuters.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka dënuar sulmet shkatërruese të Izraelit në Gazë kundër grupit militant palestineze “Hamas”, dhe ka dënuar sulmet e fundit izraelite në Liban kundër militantëve të “Hezbollahut”. Turqia ka ndërprerë krejt tregtinë me Izraelin dhe ka aplikuar që t’i bashkohet rastit për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare, të cilin Izraeli e ka hedhur poshtë.
“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet shpejt e shpejt të zbatojë autoritetin për të rekomanduar përdorimin e forcës, siç kishte vepruar me rezolutën ‘Të Bashkuar për Paqe’ më 1950, nëse Këshilli i Sigurimit nuk mund të tregojë vullnetin e domosdoshëm” – ka deklaruar Erdogani pas një takimi me kabinetin qeveritar në Ankara.
Rezoluta thotë se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të ndërhyjë nëse ka mosmarrëveshje ndërmjet pesë shteteve anëtare të përhershme me të drejtë vetoje – Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – për të ruajtur paqen ndërkombëtare.
Këshilli i Sigurimit është mekanizmi i vetëm i OKB-së që normalisht mund të marrë vendime të detyrueshme, si autorizimi i përdorimit të forcës dhe vënia e sanksioneve.
Erdogani ka thënë gjithashtu se ishte pikëlluese të shohësh vendet myslimane që dështojnë të kenë një qëndrim më aktiv kundër Izraelit, duke u kërkuar që të marrin masa ekonomike, diplomatike dhe politike kundër Izraelit për t’i bërë presion për të pranuar një ujdie armëpushimi.
“Për paqen e të gjithëve në rajonin tonë, prej myslimanit deri te hebreu dhe i krishteri, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe botës myslimane që të mobilizohen”, ka thënë Erdogani, duke thënë se sulmet e Izraelit do t’i shënjestrojnë edhe vendet nëse nuk ndalen menjëherë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com