RRUFE

Vitia: Gjysma e rasteve me kancer të gjirit po diagnostifikohen në stadet e hershme 

Në shënim të muajit të Ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë, të martën më 01.10.2024,  ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë kësaj fushate ka bërë thirrje për vetëkontrolle të shpeshta në rast të dyshimeve për këtë sëmundje duke thënë se mamografia ka rol të madh në zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit. 

“Mamografia si shërbim kyç  për diagnostifikim, vitin e kaluar shënoi një rekord në numrin e ekzaminimeve duke mundësuar edhe diagnostifikimin në faza shumë të hershme. Vitin e kaluar për herë të parë filluam me shërbime të mamografisë mobile edhe në komunat veriore të republikës ku për vetëm 3 ditë u bën mbi 180 ekzaminime”- ka thënë Vitia. 

Ministri Vitia ka thënë se gjatë dy viteve të fundit, ka pasur  rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Është lajm shumë i mirë se gjatë dy viteve të fundit kemi pasur një rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Aktualisht mbi 50% e grave të diagnostifikuara me këtë sëmundje, janë në stadet e hershme, pra në stadin e parë dhe të dytë gjë që tregon për vetëdijësimin e ngritur te gratë, por edhe rritë dukshëm mundësitë për një trajtim të suksesshëm për mposhtjen e kësaj sëmundje”- është shprehur Vitia. 

Ai ka folur edhe për kushtet në Klinikën e Onkologjisë, që sipas tij, viteve të fundit janë përmirësuar me rritjen e kapaciteteve, rritjen e numrit të shtretërve dhe duke punuar në decentralizimin e onkologjisë edhe në vendet e tjera për të ofruar shërbimet onkologjike, veçanërisht për kancerin e gjirit. 

Sipas Vitisë, me zgjerimin e listës së barnave esenciale në 60 milionë euro, vetëm për onkologjionë, jane ndarë  5 milionë euro. 

Vitia ka deklaruar se operacionet për rikonstruktimin e gjirit ofrohen falas në shëndetësinë publike, duke e bërë kështu të qasshme për secilën grua. 

“I inkurajoj të gjitha gratë, por edhe burrat që të konsultohen vazhdimisht me mjekun  e tyre për këshilla dhe ekzaminime të rregullta, por pjesa thelbësre vazhdon të mbetet ndërgjegjësimi dhe vetëkontrolli.

Ndërkaq, e mbijetuara e luftës me kancerin e gjirit dhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta-Vita”, Nafije Latifi, ka thënë se tashmë në Kosovë gratë e kanë të mundur diagnostifikimin dhe trajtimin e kompletuar të kacerit të gjirit. 

“Sot nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 450 gra me raste të reja dhe një numër i madh grashë që mbijetojnë për vite, por këto gra kanë fat në fatkeqësinë e sëmundjes, sepse sot në Kosovë është i mundshëm diagnostikimi dhe trajtimi i kompletuar i kancerit të gjirit edhe pse ka nevojë ende për përmirësim të kushteve”.

Latifi ka shtuar se nga nesër (02.10.2024), në Klinikën e Onkologjisë do të shpërndahet një donacion me 150 komplete, proteza gjoksore nga një shoqatë gjermane, ndërsa pas disa ditësh, sipas Latifit, të gjitha pacientet me kancer të gjirit do të marrin donacion nga presidentja Vjosa Osmani, me 400 pako onkologjike.


Postuar

nga