RRUFE

MASHT-i i përgjigjet SBASHK-ut pas deklarimeve se ministrja nuk i takoi rreth draftit të kontratës kolektive

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka dorëzuar të mërkurën, më 02.10.2024, në Ministri të Arsimit, draft-kontratën kolektive të re që përfshin tërë sistemin arsimor në Kosovë, që nga çerdhet deri në universitet.

Në një deklarim për media, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se e kanë ftuar katër herë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, të merrte pjesë në këtë dorëzim të draft-kontratës kolektive, por ajo s’është takuar me ta deri më sot.

Sipas Jasharajt, përgjigjja që kanë marrë nga Ministria e Arsimit në lidhje me takimin me ministren Nagavci ka qenë që ajo ka shumë angazhime, duke thënë se i kanë bërë gjithsej katër shkresa Nagavcit që draft-kontratën kolektive t’ia dorëzojnë përmes një ceremonie solemne, e që sipas Jasharajt, nuk morën përgjigje nga Ministria.  

Për këtë, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se ministrja Nagavci dhe zëvendësministiri Taulant Kelmendi i kanë takuar disa herë përfaqësuesit e kësaj Sindikate. 

Sipas tyre, Ministria e Arsimit i është përgjigjur Sindikatës se do t’i njoftojnë për një kohë takimi, të përshtatshëm me agjendën e ministres Nagavci, pasi që koha e propozuar nga SBASHK-u, sipas tyre, ishte e zënë. 

Në përgjigjen e MASHT-it, të kthyer sot më 02.10.2024, pas orës 18:00, shkruhet se përfaqësuesit e Sindikatës nuk e kanë njoftuar MASHT-in  se do ta dorëzojnë sot (02.10.2024) draft-kontratën kolektive të re. 

 “Gjithashtu, u kemi kërkuar të na dërgojnë një version elektronik të draftit, por që të njejtit nuk e kanë sjellë. Përfaqësuesit e Sindikatës, nuk na kanë njoftuar që do ta dorëzojnë sot draftin e Kontratës në MASHTI. Përndryshe edhe ministrja edhe zëvëndësministri Kelmendi i kanë takuar disa herë përfaqësuesit e SBAShKU-ut dhe kanë qenë vazhdimisht të hapur për takime”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për KALLXO.com.

Kontrata kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021 u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

Nga SBASHK kanë theksuar se draft-kontrata kolektive që dorëzuan sot nuk ka dallime të mëdha nga kontrata kolektive e kaluar.

“Kontrata që e dorëzuam sot nuk ka dallime të mëdha, d.m.th janë ruajtur të gjitha benifitet që i ka pasë kontrata e kaluar, ngase edhe sipas Konventave Ndërkombëtare ato gjëra që fitohen njëherë nuk bën të mohohen, së paku jo nga ne, por kemi bërë edhe ndonjë shtesë eventuale” – tha Jasharaj.

https://kallxo.com/arsim/sbashk-dorezoi-draft-kontraten-kolektive-ne-ministri-te-arsimit-presin-qe-te-nenshkruhet-brenda-nje-muaji/


Postuar

nga