Seanca e datës 02.10.2024 e gjykimit të Salih Kelmendit, i cili nga Prokuroria po akuzohet për veprat penale – marrje e ryshfetit, dhe – falsifikim i dokumenteve, në rastin e njohur si “Subvencionet 1” – pjesa e veçuar, është ndërprerë pasi mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha, kërkoi urdhrin e Gjykatës përmes të cilit dëshmitari Bekim Shala ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues.
Kryetari i trupi gjykues, Kujtim Krasniqi, e ka aprovuar propozimin e avokatit Berisha dhe ka kërkuar që atij t’i dorëzohet urdhri i Gjykatës.
Para kësaj, avokati Besnik Berisha kërkoi nga Gjykata që të pajiset edhe me procesverbalin e seancës dëgjimore në të cilën është deklarata e dëshmitarit Bekim Shala, pas të cilës ky dëshmitar ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues.
Ndërsa, lidhur me kërkesën e avokatit Berisha, prokurori i rastit Rafet Halimi tha se është e kundërligjshme që të zbulohet procesverbali i seancës dëgjimore dhe po të bëhej një gjë e tillë do të bënte shkelje ligjore, dhe do të kryente vepër penale.
Tutje avokati Berisha tha se është i nevojshëm për mbrojtjen ky procesverbal, për një mbrojtje efektive, “që deklarimi i tij para gjyqtarit të procedurës paraprake nën kërcënimin për pasoja ligjore të vihet në dispozicion për ta krahasuar dhe vlerësuar në linjë me ato që para kësaj gjykate janë deklaruar”.
Tutje, avokati kërkoi nga Gjykata që t’i mundësojë qasjen e pakufizuar në këtë procesverbal në mënyrë që të mundet të procedohet së paku me shkresat e njëjta secila palë.
Ndërsa, prokurori Halimi kërkoi nga Gjykata që edhe një herë të rishqyrtojë procesverbalin.
Tutje, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, e refuzoi kërkesën e avokatit Besnik Berisha lidhur me procesverbalin e seancës dëgjimore.
Seanca e sotme u ndërpre dhe seanca e paraparë për më 03.10.2024 u anulua.
Kjo çështje penale po gjykohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës.
Ndërsa trupi gjykues është i përbërë nga Kujtim Krasniqi kryetar, dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj.
KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin “Subvencionet 1”, e cila është ngritur nga prokurori Rafet Halimi, ku përshkruhet se mbi gjysmë milion euro subvencione ishin dhënë për mbjelljen e bimëve mjekësore e cila në realitet nuk kishte ekzistuar.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj 15 personave – rasti “Subvencionet 2”.
Për vepra të ngjashme penale është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ndaj disa personave rasti “Subvencionet 3”.
Prokuroria pati bërë një njoftim se tashmë ka aktakuzë edhe ndaj disa personave – rasti “Subvencionet 4”.
Ata po akuzohen për vepra të njëjta, marrje e dhënie ryshfeti, detyrim, keqpërdorim të detyrës zyrtare e të tjera.
Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së, udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej në mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.
Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.
Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.
E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.
Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për – mashtrim me subvencione.
Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.
Për veprën penale – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.
Raportimet e ngjashme nga KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.