RRUFE

Rasti i dhunimit të 15-vjeçares në Suharekë, arrestohet i mituri i cili ishte në arrati

Një 15- vjeçare dyshohet se është dhunuar në Suharekë. 

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në Polici është raportuar se e mitura 15-vjeçare ishte larguar nga shtëpia e saj më 26.09.2024 në ora 20:00 dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen më 27.09.2024 në ora 16:00. 

Lidhur me rastin, Policia, më 28.09.2024, kishte njoftuar se është arrestuar një i dyshuar, i moshës 20 vjeç dhe ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i dytë, i moshës 16 vjeç, ishte ende në kërkim.

Ndërkaq, sot më 03.10.2024, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe të dyshuarin e mitur, të mërkurën, më 02.10.2024, pas mesnate në stacionin e autobusëve në Suharekë.

Sipas Policisë, i arrestuari pasi është dërguar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren, është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës.

“Me urdhër te prokurorit kujdestar të dyshuarit,  i’u është caktuar masa e ndalimit për 24 orë. Rasti vazhdon te hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren”- ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Lidhur me rastin, Bytyqi më 28.09.2024 kishte deklaruar se nga viktima është kuptuar se gjatë natës ajo është shoqëruar me dy persona, një 20-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Gjithashtu viktima kishte pranuar se me personin e parë, të dyshuarin e moshës 20 vjeç, ka pasur marrëdhënie intime.

“Pasi që e mitura është nën 16 vjeç, bazuar në Kodin Penal të Kosovës një marrëdhënie e tillë konsiderohet dhunim, andaj me urdhër të prokurorit është inicuar vepra penale “Dhunimi”” – ka potencuar Bytyqi për KALLXO.com më 28.09.2024.

KALLXO.com ka raportuar më herët për rastin e iniciuar si “dhunim” nga Policia e Kosovës. Viktima e cila dyshohet se është dhunuar nga dy persona (njëri i mitur) është dërguar për ekzaminim mjekësor. 

https://kallxo.com/lajm/nje-15-vjecare-dyshohet-se-u-dhunua-ne-suhareke-detaje-nga-policia/


Postuar

nga