RRUFE

LDK në Gjilan: Komuna dezinformoi te Insitutiti GAP për premtimet e realizuara

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan më 03.10.2024 ka mbajtur konferencë për media lidhur me realizimin e premtimeve të Komunës së Gjilanit që udhëhiqet nga Alban Hyseni i LVV-së.

Sipas LDK-së, Komuna e Gjilanit ka dezinformuar tek Instituti GAP, për të gënjyer opinionin publik për premtimet e realizuara.

Kryetari i Forumit të Rinisë dhe anëtari i Kuvendit Komunal, Gentrit Murseli ka thënë se shumica e premtimeve të cilat cilësohen si të realizuara tek Instituti GAP, janë informata të pavërteta të dërguara nga Komuna e Gjilanit.

“Kërkojmë nga Instituti GAP rivlerësim të premtimeve të të parit të ekzekutivit, ngase as për së afërmi nuk janë të realizuara ashtu siç janë paraqitur”- ka thënë ai.

Instituti GAP ka publikuar një raport, i cili analizon përmbushjen e premtimeve zgjedhore të kryetarëve të komunave për periudhën 2021-2025.

Sipas GAP-it, kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë qeverisjes së deritanishme ka arritur të përfundoj 64 premtime, nga 109 të premtuara në total.


Postuar

nga