RRUFE

Polici nga Kaçaniku dyshohet se nxori të dhëna nga sistemi i Policisë për një burrë dhe ia dha një gruaje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e një polici në Kaçanik nën dyshimin se ka kryer veprën penale  – zbulim i paautorizuar i informacionit konfidencial.

KALLXO.com ka mësuar detaje lidhur me rastin.

Sipas burimeve të KALLXO.com, rasti kishte filluar pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave, një gruaje dhe një burri.

Siç thonë burimet, polici dyshohet se përmes sistemit informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) kishte nxjerrë disa të dhëna dhe ia kishte dërguar një gruaje.

Kjo e fundit dyshohet se më pas të njëjtat informacione i kishte përdorur apo shfrytëzuar kundër personit me të cilin kishte mosmarrëveshje.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, IPK ka verifikuar se cili kompjuter brenda Policisë është përdorur.

Madje, siç mësohet, polici ka pranuar se ka nxjerrë informacionet nga sistemi.

IPK njoftoi se ky rekomandim është bërë në përputhje me parimet ligjore dhe transparencës, duke marrë parasysh rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta etike dhe profesionale në Policinë e Kosovës.

“Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar bazuar në denoncimin e një qytetari” – theksoi IPK.

Në komunikatë u tha se bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nga hetuesit e IPK-së, dyshohet se zyrtari policor ka ndarë informacione të natyrës konfidenciale pa autorizimin përkatës, duke ndërhyrë në sistemin e Policisë, bazën e të dhënave, dhe duke përdorur kanale private të komunikimit për të përçuar informacione që bien ndesh me rregullat e privatësisë dhe sigurisë së informacionit të Policisë.

Sipas IPK-së, kjo sjellje përbën një shkelje serioze të detyrave zyrtare dhe cenon integritetin dhe besimin në institucionin policor.

Tutje u tha se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.


Postuar

nga