Në gjykimin ndaj të akuzuarve Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, dhe ish policëve Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, është dëgjuar një dëshmitar në seancën e datës 04.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës. Të njëjtit po akuzohen për sulmin me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën Veriore në dhjetor të vitit 2022.
Në gjykimin ndaj 4 të akuzuarve ka dhënë dëshminë e tij udhëheqësi i njësisë për reagim të shpejtë dëshmitari Nuhi Fejza. I pyetur nga prokurori i shtetit Bekim Kodraliu për ngjarjen e datës 06.12.2022 se cilat kishin qenë detyrat e tij. I njëjti deklaroi se kishte qenë në detyrë zyrtare për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
“Deri sa kamë qenë në Mitrovicën e Jugut më datë 06.12.2022 kamë qenë i caktuar në detyrë zyrtare në mbajtjen dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në rrugën e ‘Kollashinit’ dhe rrugën e ‘Dervarit’. Si dhe kam pasë për detyrë të siguroj një perimetër të jashtëm për hapjen e një zyre të KKZ-së e cila gjendet saktësisht në rrugën ku i ceka edhe me parë”- deklaroi dëshmitari Nuhi Fejza.
Tutje i njëjti shtoi se në detyrë kishin qenë 4 ekipe.
“Në këtë detyrë kemi qenë 4 ekipe, ka qenë përfaqësuesi i KQZ, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, hetuesit regjional, si dhe njësia ime të cilën unë e kam udhëhequr”- tha dëshmitari Fejza.
“Në këtë lokacion kam mbërri rreth orës 14:50, kemi parkuar automjetet në shiritin e djathtë të qarkullimit duke shikuar në drejtim të fshatit Suhodoll, ditën e datës 06.12.2022 gjatë zhvillimit të operacionit situata është përkeqësuar nga veprimet kriminale të grupit të cilët fillimisht kanë qenë të mbështjellë me shamia, ka pasë edhe pa shamia të cilët kanë bërë kërcënime, ofendime fyerje, sulme, nxitje të urrejtjes”- shtoi tutje dëshmitari Nuhi Fejza.
Nuhi Fejza shtoi se të njëjtit i kishin kërcënuar dhe ju kishin hedhur mjete të forta të rrezikshme.
“Mbyti shqiptarët me nanë e me babë na kanë sha, kanë fillu të hedhin mjete të ndryshme të forta, të cilat përveç prishjes dhe rendit të qetësisë publike kanë rreziku dhe jetën dhe trupin e qytetarëve, njashtu edhe tonin, të policisë”- deklaroi dëshmitari Nuhi Fejza gjatë dëshmisë së tij.
Tutje, i njëjti tha se pas këtij rasti kishin filluar t’i aplikojnë autorizimet e tyre të cilat janë të përcaktuara me ligj.
Dëshmitari deklaroi se sa kishin qenë në vendin e ngjarjes aty kishin ardhur persona me maska dhe kishin filluar të hedhin mjete të rrezikshme, shpërthyese mirëpo nuk kishin mundur t’i identifikojnë për shkak të maskave.
Tutje dëshmitari tha se kishte pasur edhe gjuajtje të armëve.
“Aty ka pasur të shtëna me armë zjarri të shkurta dhe të gjata, një nga një dhe rrafalle”- tha dëshmitari Nuhi Fejza.
Dëshmitari Nuhi Fejza gjatë dëshmisë së tij tha se zyrtarët e MPB dhe hetuesit regjionalë kishin tentuar ta hapin derën e KQZ-së, për shkak që kishte qenë e mbyllur, mirëpo hapja e saj kishte qenë e pamundur pasi që e njëjta kishte qenë e mbyllur me një dry të madh.
Tutje, i njëjti shtoi se edhe nga banesat ishin hedhur mjete shpërthyese, kur kishte qenë agresiviteti më i lartë, dhe kur kishin marrur urdhër të largoheshin, ishin larguar nga aty.
Dëshmitari Nuhi Fejza për të akuzuarit Millun Millenkoviq , Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq tha se i njeh pasi që ishte rritur në pjesën veriore, dhe shtoi se me të akuzuarin Aleksandar Vllaiq kishte punuar në polici të Kosovës, Miomir Vakiq para 40 viteve ndërsa për të akuzuarit të tjerë deklaroi se i njeh si figura.
Para deklarimit të dëshmitarit Nuhi Fejza, mbrojtësi i të akuzuarit Millun Millenkoviq avokati Miodrag Brkljaq i propozoi gjykatës që hetuesin policor Adnan Omeri që ishte i ulur afër prokurorit Bekim Kodraliu të largohet nga salla pasi që i njëjti e kishte udhëhequr këtë hetim dhe prezenca e tij mund të merret si një lloj presioni ndaj palëve prezente në sallë.
Këtë propozim të avokatit Brkljaq e kundërshtoi prokurori Kodraliu, ndërsa kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj aprovoi propozimin e avokatit Brkljaq.
Në mungesë të një shkrese të përkthyer në gjuhën serbe, mbrojtja kërkoi ndërprerjen e seancës.
Tutje trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes dhe mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor të ndërprehet dhe obligoi prokurorinë e shtetit që ta pajisë me shkresë mbrojtjen.
Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj- kryetar, Violeta Namani- Hajra dhe Arben Hoti anëtarë.
Kallxo.com kishte siguruar Dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.
“Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i brigadës së veriut… nuk ka tani mbrojtje civile, tani ka brigadë të veriut”- ishte një prej mesazheve të cilat në Dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Millenkoviq.
“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera në mes të Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, sipas Dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok bomba. Shok bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe Policëve.
Granatat të cilat, sipas Dosjes, i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.
Ambulanca në fjalë thuhet në Dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.
Sipas deklaratës së Millenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes kritike ishte afruar nga kureshtja
Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e së cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.
“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, qojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Millenkoviq dy javë para sulmit.
Po ashtu, në Dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.
Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.
Më tutje Dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.
E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se i akuzuari Millun Millenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në trazirat e majit të vitit që shkoi në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se Millenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore tek policët si dhe vetë i akuzuari.
I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyreve të KQZ-së për të cilin po akuzohet.
“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit deri në mars të këtij viti.
Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.
Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.
Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.
Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.
Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.
Po ashtu edhe i akuzuari Aleksandar Vllaiq kishte mohuar akuzat. Ai po ashtu ka mohuar edhe të jetë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.