RRUFE

Reagon Konjufca për aksidentin me fatalitet te liqeni i Badovcit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas aksidentit me fatalitet që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00, te liqeni i Badovcit, e si pasojë mbetën të vdekur tre persona.

Teksa thotë se është informuar se organet përkatëse janë angazhuar për zbardhjen e rastit, Konjufca gjithashtu u ka bërë thirrje shoferëve për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike.

“Me shumë dhimbje mora lajmin se në aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit kanë ndërruar jetë tre të rinj. U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”- ka shkruar Konjufca.

Më tej, kryeparalamentari u ka shprehur ngushëllime familjeve të tri viktimave.

“Duke bashkëndier me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”- është shprehur Konjufca.

Tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Gjilan – Prishtinë, mbrëmë, më 05.10.2024 rreth orës 23:00.

KALLXO.com mëson se se si pasojë e aksidentit vetura ka rënë në liqenin e Badovcit.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë.

“Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje” – ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, Policia aktualisht ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri tek ky aksident.


Postuar

nga