RRUFE

Abdixhiku: Thellësisht i pikëlluar nga ngjarja tragjike në liqenin e Badovcit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me aksidentin me fatalitet që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00, te liqeni i Badovcit, ku si pasojë mbetën të vdekur tre persona.

Sipas një komunikate për media, Abdixhiku ka shprehur dhimbjen e tij dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e të rinjve që humbën jetën në liqenin e Badovcit.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga ngjarja tragjike që ndodhi mbrëmë në liqenin e Badovcit. Bashkëndjej me familjet e të rinjve që humbën jetën në këtë aksident. Nuk ka fjalë për të lehtësuar dhimbjen e tyre dhe asnjë ngushëllim që mund të mbushë boshllëkun që ata ndjejnë tani. Sot, ne qëndrojmë me familjet dhe lutemi të gjejnë forcë në këto momente të rënda, ndërsa të rinjtë që i humbëm le të pushojnë në paqe!” – thuhet në kumtesë.

Tre të rinj  kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Gjilan – Prishtinë, mbrëmë, më 05.10.2024 rreth orës 23:00.

KALLXO.com mëson se se si pasojë e aksidentit vetura ka rënë në liqenin e Badovcit.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë.

“Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje” – ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, Policia aktualisht ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri tek ky aksident.


Postuar

nga