RRUFE

Akidenti tragjik në Badovc, Kurti: Lus qytetarët t’i respektojnë rregullat e komunikacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me aksidentin me fatalitet që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00, te Liqeni i Badovcit, ku si pasojë mbetën të vdekur tre të rinj.

Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve duke thënë se ndanë dhimbjen dhe pikëllimin me ta.

Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të “dekurajojnë të gjithë ata që praktikojnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar”.

“Vdekje tragjike e tre të rinjve mbrëmë rreth mesnatës. Ngushëllime të sinqerta familjeve, shokëve dhe shoqeve të tyre. Në këtë kohë të rëndë ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me ta. I lus qytetarët që të kenë kujdes e t’i respektojnë rregullat e komunikacionit si dhe të dekurajojnë të gjithë ata që praktikojnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar apo afirmojnë vozitjen tepër të shpejtë”- ka shkruar Kurti në Fcebook.

Tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Gjilan – Prishtinë, mbrëmë, më 05.10.2024 rreth orës 23:00.

KALLXO.com mëson se se si pasojë e aksidentit vetura ka rënë në liqenin e Badovcit.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë.

“Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje” – ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, Policia aktualisht ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri tek ky aksident.


Postuar

nga