RRUFE

KRU ‘Prishtina’ vendos autobotë për furnizim me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka vazhduar edhe më 06.10.2024, shpërndarjen e ujit të pijshëm përmes autobotëve.

Kjo për shkak se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka njoftuar se niveli i elementit kimik Mangan është ngritur përsëri në ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit përmes Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

KRU Prishtina ka vendosur autobotë gjatë ditës në këto pika: në rrugën Muharrem Fejza, në rrugën”Aleksandër Dubečka” në Graçanicë, në rrugën” Jakov Xoxa” te rruga B, në Llapnasellë te banesat, te banesat Pedalishte, në Graçanicë, në rrugën” Miroljuba Tanaskoviq” në dalje të fshatit Preoc për Uglar, në Hajvali te SHFMU” Afrim Gashi”, te banesat e bardha në lagjen” Bregu i Diellit”, në rrugën”C”, në rrugën” Ali Sokoli”, banesat e bardha, Bregu i Diellit, në rrugën” Shaqir Igrishta”, në rrugën” Mahir Kamberi” Hajvali, në rrugën” Holgen Pedersen”, në rrugën” Qamil Balaj” Bregu i Diellit, në rrugën” Elez Geci” Bregu i Diellit, në Badoc te Parku i Lodrave, në rrugën” Vuk Karagjiq” në Llapnasellë.

Ndërkaq së fundmi është vendosur edhe një autobot në rrugën” Xheladin Hana” te banesat e bardha, në Prishtinë.

IKSHPK përmes një njoftimi më 04.10.2024 ka deklaruar se pas marrjes së njoftimit nga Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” përmes postës elektronike (me datë 02. 10. 2024, në orët e pasditës) për ngritjen e vlerave të manganit në ujin e Liqenit të Badovcit si dhe në ujin e trajtuar, IKSHPK “ka ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit për pije”.

IKSHPK ka bërë të ditur se të enjten më 03.10.2024, ekipi i tyre ka marrë 16 mostra në Zonën – PR03, e cila furnizohet nga Impianti për trajtimin e ujit në Badovc (mostrat e marra janë të shpërndara në tërë zonën e furnizimit nga ky impiant), me qëllim të pasqyrimit sa më real të gjendjes dhe kryerjes së analizave të ujit.

“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L”- njofton IKSHPK.

Ndërkaq, sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L, thekson IKSHPK.

Bazuar në të dhënat e deritashme, IKSHPK thotë se paraqitja e “fenomenit” te manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve.

Edhe në tetor të vitit të kaluar, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badovcit u alarmuan pas një lajmërimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të mos konsumohet uji.

https://kallxo.com/lajm/serish-rriten-vlerat-e-manganit-ne-badovc-ikshpk-rekomandon-mospirjen-e-ujit-qe-vjen-nga-ky-liqen/

 


Postuar

nga