Në raportin e Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në tri qytete të ndryshme të Kosovës.
Një burrë është arrestuar në Pejë pasi dyshohet se ka kanosur një grua me të cilën më herët kishte bashkëjetuar.
Rasti ka ndodhur më 05.10.2024, rreth orës 23:00.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftimine Policisë.
Në një rast tjetër në Pejë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale kishte tentuar ta godasë një burrë.
Ky rast ka ndodhur më 06.10.2024, rreth orës 17:59.
“Pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt” – ka njoftuar Policia.
Për dy raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në Prishtinë e Sllatinë, më 06.10.2024, në raportin e Policisë nuk janë dhënë detaje se çka ka ndodhur, por vetëm se lidhur me këto raste janë arrestuar dy të dyshuar në raste të ndara dhe janë dërguar në mbajtje.
KALLXO.com ka kërkuar informata nga Policia e Kosovës për këto dy raste, por ata kanë kërkuar që të pyetet Prokuroria.
KALLXO.com e ka pyetur edhe Prokurorinë e Prishtinës, të cilët po ashtu nuk kanë dhënë informata për të dy rastet.
“Këto detaje kërkoni prej Policisë” – janë përgjigjur nga Prokuroria e Prishtinës, më 07.10.2024.
Rasti i dhunës në familje në Prishtinë ka ndodhur rreth orës 10:00, kurse ai në Sllatinë rreth orës 07:00.