RRUFE

Detaje nga bastisja në ‘Pallatin e Rinisë’, u konfiskua edhe një armë zjarri

Një armë zjarri me 10 fishekë, dy telefonë celularë dhe dokumente të cilat do të hyjnë në dosjen hetimore, u konfiskuan pas bastisjes së Njësisë Speciale të Kosovës në ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë” në Prishtinë, të hënën më 07.10.2024.

Nga aksioni hetuesit e Krimeve Ekonomike arrestuan dy të dyshuar – zyrtarë të kësaj ndërmarrje A.Z., dhe F.Rr.

“Gjatë këtij aksioni hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, kanë realizuar arrestimin e dy personave të dyshuar me dyshimet për përvetësim të kundërligjshëm të fondeve gjatë vitit 2022 në NP ‘’Pallati i Rinisë’’ në Prishtinë”- thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Mëngjesin e së hënës, Njësitë Speciale edhe hetuesit policorë zbarkuan në ndërmarrjen “Pallati i Rinisë” nën dyshimin se zyrtarë të këtij institucioni kanë kryer vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare e përvetësim në detyrë.

Ekipi i KALLXO.com arriti që të kapte pamjet e arrestimit të zyrtarit F.Rr., i cili u nxor i prangosur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë nga zyra drejt veturës e më pas u dërgua në stacion policor për intervistim.

Rasti ishte duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale ndërsa të hënën rezultoi edhe me aksion në këtë ndërmarrje. Ky hetim sipas Prokurorisë Speciale është zhvilluar tash e disa muaj.

“Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”- thuhet tutje në njoftim.