RRUFE

Disa shkolla në Mitrovicën e Jugut po ballafaqohen me mungesë të mësimdhënësve

Në një kohë kur arsimimi i cilësisë së lartë është thelbësor për zhvillimin e brezave të rinj, shkollat e mesme dhe ato  fillore në komunën e Mitrovicës po përballen me mungesë të profesorëve.

Gjimnazi “Frang Bardhi”, vitin shkollor 2024/2025 e filloi me mungesë të stafit arsimor, në lëndën e Kimisë dhe atë të Biologjisë.

Drejtori i Gjimnazit “Frang Bardhi”, Luan Mehmeti, për KALLXO.com ka thënë se ky vit shkollor e ka gjetur me dy mësimdhënës më pak.

“Kjo gjendje ka ardh si pasojë e mos paralajmërimit të dy profesorëve për largimin nga puna, njëri profesor në shtetet të jashtme e tjetra ka bërë transfer në Prishtinë”- ka thënë Mehmeti.

Nxënësit që nga fillimi i vitit shkollor kanë humbur një muaj mësim, kështu tha për KALLXO.com drejtori i Gjimnazit “Frang Bardhi”.

“Gati për një muaj, kanë humbur mësimin, ka që disa profesorë i kanë angazhuar por vetëm në bazë të mundësive”- tha Luan Mehmeti.

Drejtori Mehmeti tha se pas një muaj i është bërë zgjidhja këtij problemi.

“Të hënën e kemi marrë premtimin që do të bëhet zgjidhja, por tek njëra lëndë është bërë zgjidhja sot, ndërsa për lëndën e Biologjisë pritet që të hënën të bëhet”- përfundoi drejtori.

Egzona Sadiku, prind që ka fëmijën në shkollën fillore të mesme të ulët “Shaban Idrizi”, në Zhabar të Mitrovicës , tha për KALLXO.com, se kjo mungesë e arsimtarëve po bëhet shqetësuese.

“Fëmija im është në klasën e 9-të, prej fillimit të vitit shkollor kanë humbur orë të mësimit në lëndën Edukatë qytetare, Kimi dhe Biologji, po bëhet shumë problem për zhvillimin e tyre”- ka thënë Sadiku.

Tutje, ajo tha se “kanë mbajtur mbledhje e që është thënë që do të rregullohet, por s`ka zgjidhje dhe fëmijët janë shumë në humbje”.

Mungesa e mësimdhënësve, ka bërë që fëmijët të vijnë një orë më vonë në shkollë ose të përfundojnë mësimin më herët dhe të shkojnë  në shtëpi, kështu tha Egzona Sadiku për KALLXO.com.

“Një ditë në orën e parë kanë orë me profesorin që ju mungon, nuk shkojnë hiq, vijnë prej orës së dytë, kur kanë në orët e fundit vijnë më herët në shtëpi, kështu e kanë që 1 muaj”- tha Sadiku.

Drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Shaban Idrizi”, Saranda Ademi, tha për KALLXO.com, se vetëm në lëndën e Edukatës qytetare kanë mungesë.

“Po, njëherë për njëherë nuk kemi arsimtarë vetëm tek lënda edukatës qytetare, ne e kemi pasur arsimtaren por ka shkuar në pushimin e lehonisë, por për këtë DKA ka thënë që e dërgon këtë javë”- ka thënë Saranda Ademi.

E pyetur edhe për lëndët e tjera, Ademi tha se për lëndën e kimisë beson që do e dërgojnë.

“Për lëndën e kimisë sot kemi biseduar më DKA-në, besojmë që e dërgojnë, ndërsa në lëndë tjera s`kemi mungesë”- ka thënë ajo.

Humbja e mësimit për një muaj, dhe kompensimi apo vlerësimi i nxënësve do të jetë në dorën e Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë.

“Nxënësit kanë humbur mësimin për një muaj, e në pjesën e vlerësimit dhe kompensimit Drejtoria e Arsimit e vendos planin si për të gjitha shkollat e tjera”- ka thënë Ademi.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me udhëheqësin  e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Musa Hoti”, pasi të njëjtit kanë mungesë të profesorëve, por  drejtori i kësaj shkolle nuk kanë pranuar të flasë.

KALLXO.com ka biseduar edhe me drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, për mungesën e profesorëve në këto shkolla të qytetit.

“Arsyet e mungesës së mësimdhënësve në disa shkolla janë të ndryshme, varësisht nga profile respektivisht lëndët mësimore edhe nga procedurat e rekrutimit”- tha Kadriu.

Se si do të bëhet zgjidhja dhe kompensimi i orëve të humbura, Drita Kadriu tha se përgjegjësia kalon tek drejtorët e shkollave.

“Drejtorët e shkollave kanë obligim të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit mësimor duke pasë në konsideratë mungesën e mësimdhënësve”- ka thënë ajo.

Kalimin e kësaj vështirësie, Kadriu tha se që nga fillimi i kësaj jave do të bëjnë zgjidhje.

“Mungesat e mësimdhënësve janë edhe për neve shqetësim, dhe jemi në përpjekje që nga java e ardhme të tejkalohen këto vështirësi”- tha Kadriu.

E pyetur nëse në mungesë të profesorëve të asistonin me studentët e viteve të fundit, në mënyrë  që nxënësit të mos humbasin mësim, Kadriu tha se legjislacioni nuk ja lejon.

“Në bazë të legjislacionit ne nuk mund të angazhojmë studentë ose mësimdhënës të fushës së përafërt, sepse nuk mund të futen në lista të pagave”- ka thënë Kadriu.


Postuar

, ,

nga