RRUFE

Gjermania mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit për mallrat nga Serbia

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se e mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat që vijnë nga Serbia.

Rohde më 07.10.2024 ka thënë se ky vendim “shënon hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s”.

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdar për mallrat që nga vijnë Serbia. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Kosovën për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”- ka shkruar ai në X.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është ndryshuar masa e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”.

Ai ka paralajmëruar se kjo masë është ndryshuar deri sa të vijnë skanerët e teknologjisë së lartë.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganës [lidhur me këtë masë] … deri të na vijnë skanerët”- tha Kurti në konferencë për media, më 07.10.2024.

Kurti tha se kanë zgjedhur që ky kontroll i shtuar të bëhet vetëm në pikën kufitare në Merdarë, sepse sipas tij, aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është afër.

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në vitin 2023, pasi tre policë të Kosovës u patën arrestuar nga policia serbe. Ndonëse policët qenë liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe pati mbetur në fuqi.

https://kallxo.com/lajm/qeveria-e-kosoves-ndryshon-masen-e-sigurise-per-mallrat-nga-serbia/

Rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës kanë reaguar edhe presidenti dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Millosh Vuçeviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se pret që autoritetet e Kosovës të “bëjnë më të mirën” për të parandaluar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve serbe, pavarësisht heqjes së ndalesës për produktet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

“Është e rëndësishme për ekonominë serbe, por a do ta bëjnë më të mirën për të vënë bllokada – po. Ai [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti] do t’i shpikë tani skanerët, dhe do të presë për 22 muaj tjerë, dhe do të shpikë diçka tjetër”, ka thënë Vuçiq më 7 tetor.