Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Mitrovicë të Veriut dhe një tjetër në Zveçan më 07.10.2024.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani më 07.10.2024.
Sipas tij në bastisjen në Mitrovicë të Veriut, dy persona të dyshuar – njëri me iniciale A.J. i lindur më 1992 dhe V.J. i lindur më 1978, nuk janë hasur në shtëpi, por tashmë janë shpallur në kërkim.
Për këto bastisje, Policia dha detaje edhe në raportin 24-orësh.
“Pushke automatike AK-47 me 1 karikator me 29 fishekë, shurdhues i montuar, 1 fishek, sprej, thikë, USB, çantë ushtarake me 2 granata dore, stema të ndryshme. Në hyrjen tjetër, janë gjetur 15 fishkë, karikator, thikë, radiolidhje, jelek taktik me çantë, antiplumb, antiplumb i brendshëm, kapele, dorëza, maskë etj”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, për rastin e ndodhur në rrugën “Qeta e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut.
Sipas policisë rasti është duke u hetuar.
Ndërsa në bastisjen në fshatin Korilje të komunës së Zveçanit është arrestuar një person sepse në shtëpinë e tij janë gjetur dy armë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë me 46 fishekë, një revole me 72 fishekë dhe një xhaketë me mbishkrimin (civilna zastita). Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raport.
KALLXO.com raportoi se personi me iniciale R.A., 64-vjeçar, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës.
https://kallxo.com/lajm/ndalohet-per-48-ore-personi-te-cilit-iu-konfiskuan-dy-arme-ne-zvecan/