Pika kufitare e Kosovës me Serbinë në Merdarë është hapur për kalimin e mallrave serbe nga e martja më datë 08.10.2024.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në pikëkalimin kufitar në Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.
Ministri më tej ka njoftuar se me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.
“Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”- ka shkruar ministri në Facebook.
Sipas ministrisë, transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare.
Kryeministri Kurti të hënën më 07.10.2024 tha se mallrat do të zhbllokohen edhe në pikat kufitare tjera me Serbinë kur të sigurohen skanerët nga aleatët ndërkombëtarë.
Kurti tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i sigurojnë Kosovës skanerë se sipas tij vetë i na kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë.
“Në ndërkohë edhe vetë Dogana e Kosovës është duke blerë skanerë. Ne nuk po u themi vetëm ndërkombëtarëve na ndihmoni, por na ndihmoni se edhe ne vetë po shpenzojmë”- tha ai, duke shtuar se siguria e Kosovës është siguri edhe për ndërkombëtarët.
Kurit tha se e gjithë Qeveria janë marr me këtë punë.
“Nga unë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, këshilltari im Jeton Zulfaj kanë biseduar dhe negociuar me Bashkimin Europian, në veçanti me Gjermaninë”- tha ai.
“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.
Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.
Megjithatë Kurti tha se kanë pritje që edhe në takimin e CEFTA-s, e edhe në Samitin e Berlinit që do të mbahen gjatë këtyre ditëve, do të arrihen suksese si Kosovë.