Rëndësia e shëndetit mendor dhe parandalimi i vetëvrasjeve ishte tema e një konference të organizuar nga iniciativa rinore “Frymo Lirshëm”, e cila më 08.10.2024 bashkoi studentë, politikanë e psikologë në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Thirrja e përbashkët e këtij paneli ishte që personat të cilët e kanë menduar ta hedhin një hap të tillë (vetëvrasjes), mos ta çojnë fare ndër mend, të bëhen të fortë, me vetëbesim dhe t’u bëjnë ballë sfidave.
Dekani i Fakultetit Juridik të këtij Universiteti, Islam Qerimi, tha se faktori më dominues që çon në vetëvrasje është vetmia, prandaj, sipas tij, socializimi dhe komunikimi me të tjerët është i domosdoshëm.
“Numër një, shkaktar i parë, është vetmia. Nuk komunikon me të tjerët, nuk dëshiron të marrë pjesë në ceremoni të ndryshme. Pastaj vijnë faktorët e tjerë si faktori i varfërisë, social e politik” – tha dekani.
E shqetësimi që kishte deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ishte se psikologët nëpër shkolla nuk do të duhej të qëndronin në zyrë dhe të prisnin që nxënësit të drejtoheshin aty por do të duhej që të ishin më pranë tyre.
“Vetëvrasja është një dukuri që na shqetëson të gjithëve. Shtimi i numrit të psikologëve, madje roli i psikologut duhet me qenë më proaktiv, me qenë çdoherë nëpër klasë, me zhvillu biseda. Psikologu nuk duhet veç me qëndru në zyrë edhe me prit a po vjen ndonjë nxënës. Gjithashtu duhet me u rritë puna e aktivitetit fizik, duhet me e kanalizu diku energjinë e vet dhe jo me e shpenzu në dukuri negative” – tha Zejnullahu.
Ajo shtoi se do të ishte i domosdoshëm një ligj në Kuvend për një temë të tillë.
“Ka hasur në vështirësi në zbatim dhe ka lindur nevoja që ky ligj që të ndryshohet. Më pas ka ardhur një ligj i ri. Kanë qenë disa nene që kanë qenë diskriminuese. Ne kemi nevojë për një ligj të ri. Brenda këtij mandati nuk besoj se do të bëhet sepse merr kohë. Do të duhej të ketë bashkëpunim Qeveria me shoqëri civile e me ekspertë të shëndetit mendor dhe të shohim se ku po çalojmë (sa i përket ligjit). Do të duhej të hartojmë një ligj të zbatueshëm” – u shpreh deputetja.
Pozitive këtë konferencë për të rinjtë mitrovicas e sheh edhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
“Është një ngjarje që duhet të trajtohet pa hezitim. Të rinjtë, shoqëritë civile t’i bashkëngjiten kësaj teme. Kjo është më vështira që mund t’i vijë familjes e shoqërisë. Vetëvrasjet dhe krizat vijnë nga traumat dhe kur mbajmë diçka të fshehur e nuk i trajtojmë me të tjerët. Është një pjesë e shoqërisë që ka trauma nga lufta. Edhe ne duhet t’i trajtojmë këto tema pa hezitim për të menaxhuar në mënyrë më të mirë të mundshme” – u shpreh Bahtiri.
Ai u bën thirrje të rinjve të mos dorëzohen asnjëherë deri sa ta arrijnë atë që dëshirojnë dhe dukurinë “vetëvrasje” mos ta vënë fare në konsideratë.
“Njeriu mund të përjetojë gjëra të mira e të këqija. Njeriu duhet me pasë besueshmëri në trupin e tij, shpirtin e tij dhe t’ia vendos vetes një qëllim, deri sa të arrijë te qëllimi. Mund të rrëzohet disa herë dhe jo të dorëzohet. Ata janë njerëz të ligë të cilët nuk mund ta përballojnë. U them të rinjve, të jeni guximtarë e të keni vetëbesim”- përfundoi Bahtiri.
Në panelin tjetër ishin pedagogia e Shkollës së Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina”, Alberina Hajzeri dhe psikologia Bukurije Brezhnica nën moderimin e Kaltrina Behramajt.
“Faktorët janë të shumtë për me ditë pse ka ardhë deri aty. Ka familje që qëndrojnë mirë ekonomikisht por humb vëmendja nga fëmija. Në të njëjtën kohë duhet të trajtohen nga psikologu. Periudha e pasluftës ka bërë me të vërtetë si shoqëri të ndryshojmë. Sot kërkohet vetëm të gjej një person të më dëgjoj se çka po them. Neve si shoqëri po na mungojnë dëgjuesit aktivë”- tha psikologia Brezhnica.
Ndryshimi i rutinës në aspektin negativ është një faktor që mund të çojë deri te mendimi për vetëvrasje sipas pedagoges Alberina Hajzeri.
“Kalimi i kësaj faze është komunikimi me bashkëmoshatarët e tij mirëpo në mënyrë selektive. Unë u bëj thirrje që me folë qoftë me nënën, babanë apo ndonjë kushëri të afërt. Faktorët janë kequshqyerja, ik prej orëve, e ndryshon rutinën në aspektin negativ. Mënyra më e mirë është me folë”- përfundoi pedagogia.
Në përfundim të konferencës kur studentët e pranishëm mund të bënin pyetje, një nxënëse e shkollës së mesme “Hasan Prishtina” tha se në konferenca të tilla do të duhej të ishin të pranishëm edhe prindërit sepse, sipas saj, “përkrahja më e madhe e çdo fëmije është familja”.
Këtë e mbështetën edhe panelistët e ftuar.


