Valon Hoti, këshilltar i lartë politik i ministrit Liburn Aliu, ka reaguar rreth aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai ka thënë se as ministri e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi për asnjë lëndë, duke shtuar se ky është sqarim “rreth tentimeve për manipulim të opinionit publik”.
“Siç duket para zgjedhjeve përpjekjet e gjithanshme nga ish-regjimi do të jenë që të na pengojnë, por nuk do t’ia dalin as kësaj here. Pra, inskenime mund dhe është e pritshme të bëjnë deri në ditën e zgjedhjeve, por nuk do t’ia dalin” – ka shtuar Hoti në postimin e tij në Facebook.
Këshilltari i Aliut ka thënë se “sulmet e koordinuara si kor” nuk janë të befasishme sepse kanë “prishur shumë matematika e ndalur shumë interesa”.
“Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej” – thotë ai.
Hoti ndër të tjera tha se janë edhe të hapur për t’i ndihmuar sistemit të drejtësisë për hetimin deri në fund të shumë rasteve korruptive, që ai thotë se i kanë ndaluar e i kanë denoncuar mbi 100 sosh, për të cilat shtoi se nuk janë ftuar për t’u pyetur.
“Pavarësisht tentativave që për qëllim kanë denigrimin dhe zbehjen e punëve të pashembullta që jemi duke bërë si Qeveri e Ministri, ne nuk ndalemi” – ka thënë ai.
Ky aksion i Policisë dhe Prokurorisë Speciale përfundoi me arrestimin e një të dyshuari, përderisa një tjetër është ende në kërkim. Po ashtu u sekuestruan armë, pajisje teknologjike e dokumente.
Për 6 banesa me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi.
I arrestuari I.B. dyshohet për veprat penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, dhe – armëmbajtje pa leje.
Ndërsa, i dyshuari i dytë, N.H. dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.
https://kallxo.com/lajm/aksioni-i-policise-dhe-psrk-se-ne-ministrine-e-mjedisit-nje-i-arrestuar-e-nje-tjeter-ne-kerkim-sekuestrohen-arme-e-dokumente/