Dy operacione të Policisë së Kosovës kanë rezultuar me sekuestrimin e një sasie të madhe të substancave narkotike që arrijnë vlerën mbi 95 mijë eurove dhe me arrestimin e katër të dyshuarve.
Operacionet, sipas Policisë, janë zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut.
Në rastin e parë të koduar “Pritja” u arrestuan tre të dyshuar e u sekuestruan mbi 35 kilogramë marihuanë, në katër lokacione të ndryshme.
“Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona celular. Vlera e substancës narkotike arrin shumën prej mbi 45 000 euro” – thotë Policia.
Ndërsa, në rastin e dytë të koduar “Kristali” u arrestua një person dhe u sekuestrua mbi një kilogram kokainë.
Si prova materiale janë sekuestrua mbi 6 mijë e 800 euro, 1 mijë dollarë dhe 3 mijë e 400 funta angleze.
“Vlera e drogës në këtë rast arrin shumën prej mbi 50 000 mijë euro” – thuhet në njoftim.
Këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda.