Drejtoria e Arsimit në Pejë e ka lejuar nxënësen që ka vendosur mbulesën ta vijojë mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani”, nga sot, 08.10.2024.
18-vjeçarja u paraqit në shkollë me mbulesë fetare më 02.09.2024, në ditën e fillimit të vitit shkollor 2024/2025 dhe nuk iu lejua ta vazhdojë mësimin për shkak të mbulesës deri më sot.
Drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, në një bisedë për KALLXO.com më 24.09.2024 kishte thënë se nxënësja që ka vendosur mbulesën i ka dy opsione – mësim alternativ përmes vijimit të mësimit në formë online apo ta heqë mbulesën.
Por, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, ka pranuar javën e kaluar një këshillë shkresë nga Ministria e Arsimit përmes të cilës thotë se iu kërkua ta lejojë nxënësen që ta vazhdojë mësimin me mbulesë, nën arsyetimin se “shamia nuk është mbulesë fetare”, sipas zyrtarëve ligjorë në Ministri të Arsimit.
E përfaqësuesi i familjes së nxënëses që ka vendosur mbulesën e që është ndërmjetësues mes familjes së nxënëses e drejtorit të shkollës, Labinot Maliqi, imam në Prishtinë, në një njoftim publik ka thënë se prindi i nxënëses e ka njoftuar se nxënësja do të kthehet sot, më 08.10.2024, në Gjimnaz për të vijuar mësimin e rregullt.
“Pas njoftimit të prindit të nxënëses, duke më dhanë lajmin e shumëpritur, konfirmimi përkatës më erdhi gjithashtu edhe nga drejtoria e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë se, nxënësja e larguar nga shkolla për shkak të mbulesës më 2 Shtator, do të kthehet sot në bankën e saj për të vijuar mësimin e rregullt” – ka shkruar Maliqi në Facebook më 08.10.2024.
“Shamia nuk është mbulesë fetare”
Drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, e ka konfirmuar se nxënësja në fjalë ka filluar të martën, më 08.10.2024, mësimin me mbulesë në Gjimnazin “Bedri Pejani”, përmes një rekomandimi që ia kanë dërguar Gjimnazit.
“Po, nxënësja sot ka fillu mësimin… me shami. Kemi dhënë një rekomandim, dje e kam lëshu atë rekomandim… Gjithë çështjen e kemi diskutu në aspektin profesional, me juristë, me zyrtarët ligjorë, të cilët janë të thirrur për këtë… sepse me mbulesë nuk lejohet në shkollë, mirëpo duke i pasë parasysh rrethanat e përgjithshme” – ka thënë Gega më 08.10.2024.
Drejtori Gega e quan rast unik dhe të vetëm lejimin e nxënëses që tashmë vijon mësimin me mbulesë fetare në Gjimnazin “Bedri Pejani”, pasi thotë se rastin e kanë analizuar me zyrtarët ligjorë të Komunës së Pejës dhe kanë ardhur në përfundimin se shamia në fakt është mbulesë fetare, përkundër një këshille nga Ministria e Arsimit që kanë pranuar për këtë rast.
“Kontesti ishte, a është shamia mbulesë fetare a s’është. Dhe sipas gjitha gjasave, neve po na del që edhe shamia është një mbulesë fetare. Mirëpo, sidoqoftë, pasi vajza ka mbushë 18 vjet, atëherë edhe një rekomandim prej Ministrisë e kemi pasë për mundësisht me kthy në shkollë sepse shamia nuk konsiderohet si mbulesë fetare, atëherë definitivisht u dakorduam që me leju si rast unik, si rast i vetëm” – tha Gega.
Mirëpo, çka saktësisht e ka këshilluar në shkresën e saj Ministria e Arsimit Drejtorinë e Arsimit në Pejë Gega ka cituar një pjesë të shkresës, sipas tij, që Ministria shprehet se shamia nuk është mbulesë fetare.
“Ministria e Arsimit shprehet në atë shkresë thotë se ‘shamia nuk mund të konsiderohet si mbulesë fetare, sipas zyrtarëve ligjorë të tyre’ … dhe mbi bazën e saj dhe vajza pasi i ka mbushë 18 vjet, atëhere Kushtetuta e kërkon mësimin e obligueshëm, atëhere t’i mundësohet, a din, rekomandon që t’i mundësohet dhe një rekomandim të tillë e kam dërgu edhe unë dje në Gjimnaz” – ka treguar Gega.
Sipas drejtorit Gega, këtë shkresë të Ministrisë së Arsimit e ka pranuar edhe nxënësja që ka vendosur mbulesën.
“Ajo shkresë është një shkresë që iu ka përgjigjur Ministria, iu ka përgjigjur vajzës në fjalë, ku ka kërku për me kthy në shkollë edhe e njëjta m’u ka dërgu edhe mua” – ka shtuar Gega.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit më 24.09.2024 për rastin e nxënëses me mbulesë, të cilës nuk iu lejua ta vijojë mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani”, por nuk ka pranuar përgjigje.
KALLXO.com gjithashtu e ka pyetur Ministrinë e Arsimit më 08.10.2024 për shkresën që po pretendohet nga Drejtoria e Arsimit se e ka këshilluar ta lejojë nxënësen ta vijojë mësimin me mbulesë fetare në Gjimnazin “Bedri Pejani”, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
E përfaqësuesi i familjes së nxënëses, Labinot Maliqi, e ka quajtur “ndërhyrje mbështetëse” veprimin e Ministrisë së Arsimit dhe ka thënë se nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdojë ndalesa për bartjen e uniformës fetare sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit numër 06/2014.
“Pas ndërhyrjes mbështetëse që ka bërë Ministria e Arsimit për kthimin e kësaj nxënëseje në shkollë me mbulesë, duke qenë edhe vet institucioni i bindur se nje ndalesë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin per Arsim dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdojë ndalesa për “Bartjen e Uniformës Fetare” në shkollat e mesme, e paraparë në Udhëzimin Administrativ” – ka thënë Maliqi.
Si rezultat i kësaj, Maliqi ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta shfuqizojë udhëzimin administrativ me numër 06/2014, duke e sqaruar, sipas tij, se mbulesa nuk është një uniformë fetare dhe, si e tillë, nuk duhet të jetë pengesë për vajzat që të kenë qasje të barabartë në arsim.
Në të njëjtën kohë, Maliqi u ka kërkuar drejtorit Gega e drejtorit të Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, që t’i kërkojnë falje nxënëses që ka vendosur mbulesën.
“Ndërkohë, drejtori i DKA-së në Komunën e Pejës, z. Naser Gega, si dhe drejtori i gjimnazit “Bedri Pejani,” z. Musa Nikqi, duhet t’i kërkojnë falje publike nxënëses, të cilën e larguan nga shkolla duke e penguar me vetëdije në të drejtën e saj për të pasur qasje në arsim” – ka theksuar Maliqi.
Në anën tjetër, pretendohej se mësimdhënësit e Gjimnazit “Bedri Pejani” i kanë bojkotuar të martën, më 08.10.2024, dy orët e para të mësimit.
Gega nuk e quajti ‘bojokot’, por tha se ishte një sqarim i drejtorit të Gjimnazit “Bedri Pejani” me mësimdhënësit për atë se si kishte ardhur deri te rekomandimi i Drejtorisë së Arsimit në Pejë që 18-vjeçarja ta vijojë mësimin me mbulesë.
“Është një lloj bojkoti, mirëpo ma tepër kisha me quajtë unë një lloj sqarimi, sepse drejtori i shkollës kur e ka marrë rekomandimin e DKA-së, rekomandimin tonë ka mbledhë stafin dy orët e para, një orë e diçka, sa di unë edhe ka bisedu çështjen në fjalë dhe mbi bazën e saj, pastaj ata kanë marrë vendim. I kanë njoftu profesorët se çka ka ndodhur realisht, mësimi pastaj ka vazhdu rregullisht pa asnjë telash” – është përgjigjur Gega.
Ai ka folur edhe për rekomandimin e Drejtorisë së Arsimit në Pejë, të cilin ia kanë përcjellë Gjimnazit “Bedri Pejani” për lejimin e vijimit të mësimit nga nxënësja me mbulesë.
“Duke e pasë parasysh që vajza ka kalu moshën 18-vjeçare, Kushtetuta e ka një nen atje që thotë se rregullohet, d.m.th. është mësimi i obligueshëm mësimi parauniversitar dhe një rekomandim, një këshillë prej MASHTI-t që me ia leju [nuk kuptohet] dhe po e marrim si rast unik dhe ky rast, vajzës i lejohet me u kthy në shkollë nga dita e sotme, mirëpo assesi ky rast nuk bën të interpretohet se DKA-ja dhe shkollat e Pejës hapin dyert për vajzat me uniformë fetare” – ka thënë Gega.
KALLXO.com e ka kontaktuar përmes telefonit disa herë drejtorin e Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi, po nuk ka qenë i qasshëm. Gjithashtu, i janë dërguar pyetjet për këtë rast, por nuk është përgjigjur deri më tani.
Në udhëzimin administrativ të MASHTI-t me numër 06/2014, në të cilin flitet për Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, në nenin 3, ku flitet për ‘Veprimet e ndaluara’, në paragrafin 1.13 thuhet “Nxënësit i ndalohet: bartja e uniformës fetare”.
Për këtë udhëzim administrativ Ministria e Arsimit është kritikuar nga një pjesë e shoqërisë, e cila është kundër tij, kur bëhet fjalë për ndalimin e uniformës fetare.
Kurse, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 23.09.2023, për këtë udhëzim administrativ tha se shoqëria duhet të diskutojë dhe të definojë se çka janë uniformat fetare.
“Udhëzimi administrativ që ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime e përmend që është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet ta ketë një diskutim, e para: Çka janë uniforma fetare? A jemi ne të gatshëm që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshur me uniforma fetare në shtetin tonë që i përcaktohet karakteri i vet me Kushtetutë, ashtu siç i garantohet edhe e drejta e shkollimit. Ky është një diskutim shumë përmbajtjesor që nuk mund të bëhet me kushtëzime e me imponime dhe që duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve tanë”- kishte thënë ministrja Nagavci më 23.09.2023.
Ndërkaq, për largimin e nxënëses me mbulesë nga Gjimnazi “Bedri Pejani” më 02.09.2024, prindi i nxënëses e ka njoftuar Prokurorinë në Pejë, dhe është hapur rast për veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, për të shikuar nëse ka elemente të kësaj vepre penale ndaj personave të përfshirë në rast.
“E kemi marrë [email-in] prej prindit të vajzës, e cila i ka shpreh këto krejt shqetësimet edhe ka thënë që iu ka pamundësu vajzës së saj për me shku në shkollë, vajza e saj është 18-vjeçare dhe ne secilin rast që e pranojmë, ne e trajtojmë, eventualisht tash, varësisht nga procesi se çfarë del” – janë përgjigjur nga Prokuroria në Pejë, më 24.09.2024.