RRUFE

Deklarimi i tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, sulm nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist ne Banjskë më 24.09.2023, sulm në të cilin mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës për t`u përballur me akuzën që Prokuroria Speciale ua vë në barrë.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq pas leximit të akuzës nga Prokuroria Speciale janë deklaruar se nuk dëshirojnë të deklarohen lidhur me akuzën, por që ky deklarim i tyre nga gjyqtari i rastit, Arben Hoti u konsiderua si mos deklarim i fajësisë.

Ndërsa i akuzuari i tretë, Dushan Maksimoviq tha se nuk ka të bëjë fare me këtë rast për të cilin është ngritur aktakuza.

“Unë jam i vetëdijshëm që shumica në këtë sallë mendojnë që jam i përfshimë në këtë vepër penale, mirëpo unë deklarohna që nuk jam fajtor dhe nuk kam lidhje me këtë aktakuzë”- tha Dushan Maksimoviq.

Pas deklarimit të të akuzuarve për akuzat që rëndojnë mbi ta, gjyqtari njoftoi palët se kanë afat prej 30 ditësh që t`i paraqesin ankesat e tyre për kundërshtim të provave dhe të bëjnë kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Lidhur me kërkesën e gjyqtarit të kësaj procedure për mendimin juridik të Gjykatës Supreme se për këtë rast a mund të vazhdohet me gjykim në mungesë apo jo, gjyqtari  Arben Hoti ka konfirmuar për KALLXO.com se ende nuk ka pranuar mendim juridik nga Gjykata Supreme.

Çka ndodhi në Banjskë?

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

Të arrestuar për këtë rast janë vetëm Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq. Ata gjenden në masën e paraburgimit.

45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.

Më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.

Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.

Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.

Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.

BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi më 2022 ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.

Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi.