Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pritet të takohet të enjten më 10.10.2024 me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës, Bislimi tha se Lajçak është duke punuar drejt caktimit të një takimi të kryenegociatorëve të të dyja palëve.
“Se kur do të jetë ky takim nuk e di. Nesër do ta takoj emisarin Lajçak ku pastaj do të dakordohemi se si do ecet tutje”- tha ai në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 09.10.2024.
Bislimi tha se në Beograd është duke u mbajtur takimi i CEFTA-s, në të cilin nga Kosova, online është lidhur ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Sot mu në Beograd do të votohet me propozim të palës serbe që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA. Unë e shoh këtë si një zhvillim shumë pozitiv, sidomos që ndodh në Beograd, gjë që nuk ka ndodhur për shumë vite”- tha Bislimi.
Në anën tjetër, Bislimi tha se shpreson që kjo frymë konstruktive e Serbisë e cila e kupton që realiteti ka ndryshuar të bartet edhe në dialog në mënyrë që të bindim palët se Marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit duhet të zbatohen në tërësi.
Më 06.10.2024, Lajçak ka paralajmëruar se javën që vjen do të fokusohet në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Lajçak theksoi se takimin do të donte ta organizonte në javët në vijim në Bruksel.
“Këtë javë që vjen, do të fokusohem në përgatitjen për takimin e radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, të cilin do të dëshiroja ta organizoja në javët e ardhshme”- ka shkruar Lajçak në një postim përmbledhës në Facebook, në të cilin ai kishte treguar për vizitën në Mal të Zi.
Duke folur të premten, më 04.10.2024 në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian.
Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.
Lajçak pati ftuar Bislimin dhe Petkoviqin për tu takuar më 17.09.2024. Takimi u zhvillua vetëm në formatin bilateral, për shkak se sipas Qeverisë së Kosovës, pala serbe ka refuzuar të marrë pjesë në takim trilateral.
Sipas njoftimit, nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral.
“Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”- thuhej në njoftim.
Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve, thuhet në njoftim.
Ndërsa theksohet se Bislimi shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.