RRUFE

Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të marr pjesë në takimin e liderëve në Samitin e Berlinit më 14 tetor 2024.

Lajmin e konfirmoi këshilltari politik i tij, Jeton Zulfaj, në një konferencë për media më 09.10.2024.

Gjithashtu, nga tash e tutje, Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA, por nga zyrtarët shtetërorë të saj.

Kështu u vendos të enjten në takimin e CEFTA-s të mbajtur në Beograd, njoftoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencë për media.

Këtij vendimi rrugën ia hapi zhbllokimi i mallrave nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë më 08.10.2024.

Muajve të fundit Gjermania kishte rritur “presionin” ndaj Kosovës për zhbllokimin e mallrave serbe.

Në emër të Gjermanisë, i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, disa herë me radhë gjatë muajve të fundit paralajmëroi se ndalimi i mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s.

Sarrazin kishte ashpërsuar diskursin duke thënë se mu për këto arsye se Kosova mund të përjashtohej nga CEFTA dhe nga Procesi i Berlinit.

“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.


Postuar

nga