RRUFE

Gjendja e mjerueshme e rrugës ‘Ajet Bajrami’, në Mitrovicë të Jugut

Asfalti i prishur, ujërat atmosferik, kanalizimet dhe mungesa e ndriçimit publike, janë kthyer në një “hall” për  banorët e rrugës “Ajet Bajrami” në lagjen Bajr të të Mitrovicës së Jugut.

Miftar Bajrami, banor në këtë lagje thotë se rruga “Ajet Bajrami” është në këtë gjendje tash e dy vite.

“Që 30 vite jetojë këtu, valla kjo gjendje e rrugës është qeshtu më shumë se dy vite”- ka thënë Bajrami.

Ai tregon që shumë herë kanë shkuar në komunë, por thonë se përgjigja që kanë marrë është ‘se është në proces.

“Kemi bërë kërkesë për këtë rrugë, se ne në këtë rrugë kemi problem shumë të madh, po komuna na ka thënë që është në proces e sipër”- deklaroi  Bajrami për KALLXO.com

“Edhe në viset më rurale nuk ka kësi rruge, kjo gjendje nuk do shumë koment, me u lënë në këtë gjendje njëra ndër rrugët më të mëdha në lagjen Bajr, nuk e di”- thotë Murat Nimani.

Banori tjetër i rrugës “Ajet Bajrami”, Ibrahim Veliu, për KALLXO.com deklaroi  se gjendja e kësaj rruge është e rëndë.

“Si banor i kësaj lagje, gjendja është pos me kanë në kohën e bombardimeve”- thotë Veliu.

“Prej kur kanë filluar të instalojnë rrymën nën tokë, e kanë prerë rrugën në disa vende. Kjo gjendje është katastrofë. Nuk kalohet as me automjete, e dimë vetëm ne banorët e kësaj lagje se si ia bëjmë çdo ditë, duhet me pasë kujdes të shtuar.”- thotë tutje Veliu.

Ibrahim Veliu thotë se kanë dërguar kërkesë në komunë për rregullimin e rrugës.

“Po kemi qenë në komunë, e kam dorëzuar listën me nënshkrime, me emra e mbiemra të banorëve të kësaj lagje, 20 familje jetojmë në këtë lagje”- thotë Veliu

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.