RRUFE

Gjykata i cakton arrest shtëpiak Izedin Bytyqit

Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj të dyshuarit Izedin Bytyqit për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “armëmbajtje pa leje” për ta dërguar në arrest shtëpiak.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Të martën, më 08.10.2024 KALLXO.com raportoi se sekretari i Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në këtë ministri.

Ndërsa, i dyshuari i dytë, Naser Hafizi nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij. Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar; shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Ndërsa në komunikatën e PSRK-së tregohet se cka ishte gjetur.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 revole e tipit MAUSER-WERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë  9 mm, 34 fletë dokumente të ndryshme, 3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax, 17 USB, 3 laptopë HP, 4 shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore” .

Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

Sipas njoftimit të dy institucioneve, aksioni u zhvillua pas hetimeve disamujore.