Ministria e Arsimit ka hapur konkursin për drejtor të Qendrës së Studentëve dhe konkursin për drejtor të Inspektoratit të Arsimit.
Nga fundi i vitit të kaluar këto institucione të Arsimit janë udhëhequr nga ushtrues detyre të drejtorit. Qendra e Studentëve ka ushtrues detyre, Ekrem Rudarin.
Ndërsa, më 23.11.2023, Nebih Behluli u emërua në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm në Inspektorat të Arsimit. Por, më 05.12.2024 në këtë pozitë u emërua Hidajete Vokshi.
Konkursi për drejtor të Inspektoratit të Arsimit është hapur më 04.10.2024 deri më 02.11.2024, ndërsa konkursi për drejtor të Qendrës së Studentëve është hapur më 08.10.2024 deri më 06.11.2024.
Mandati për këto dy pozita është katërvjeçar.
Në të dy konkurset, për drejtor të Përgjithshëm në Inspektorat të Arsimit dhe drejtor në Qendër të Studentëve, kërkohet që kandidati të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale me dashje, të mos ketë në fuqi masë disiplinore për shkelje të rëndë në institucion publik, të ketë 5 vjet përvojë pune në pozita drejtuese dhe të tjera.
Të gjitha detajet për konkursin për drejtor të Përgjithshëm në Inspektorat të Arsimit i gjeni në këtë link, kurse për konkursin për drejtor në Qendër të Studentëve në këtë link.
Më shumë se një vit më parë, më 20.09.2023, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i liroi nga detyra drejtorin e Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta dhe drejtorin e Institutit Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj.
Në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 22.09.2023, ministrja Nagavci kishte treguar se përse i kishte shkarkuar të tre këta zyrtarë.
“Të tre këta zyrtarë të lartë që janë në këto pozita të rëndësishme është gjetur që janë emëruar në këto pozita me akt-emërime të paligjshme në kohën kur janë emëruar në këto pozita. Janë tri vendime të ndryshme, të tria të nënshkruara nga i njëjti ish-sekretar i Ministrisë së Arsimit, të tria në kundërshtim me legjislacionin edhe në atë kohë- pra jo tani”- ka thënë Nagavci në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 22.09.2023.
“Janë caktuar zyrtarë në pozita të larta me akt-emërim me pozitë të përhershme. Që të tri këto pozita janë pranuar në konkurs në pozitë më të ulët dhe pastaj me akt-emërim janë vendosur në pozita të larta dhe njëkohësisht u janë vendosur si pozita të përhershme, pra pozitë që vazhdon deri në pensionim”- ka shtuar ajo.
Sipas Nagavcit, prej koeficientit të pagës 10 të tre këta persona kanë kaluar në koeficientin 16.
Një muaj më parë, më 04.09.2024, KALLXO.com ka publikuar rrëfimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi për punën që kishte bërë ndër vite në Inspektorat dhe për pakënaqësit e tij nga lirimi i detyrës më 20.09.2023.
Gashi punoi gati 16 vjet në krye të Inspektoratit të Arsimit, ndërsa nga muaji shkurt 2024 është sistemuar në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi u lirua nga detyra në Ministri të Arsimit.
Ish-drejtori Gashi udhëhoqi Inspektoratin e Arsimit nga viti 2007, ndërsa nga viti 2013 ai ka gëzuar akt emërim me afat të pacaktuar në pozitën e drejtorit të Departamentit të inspektimit të Arsimit në Ministri të Arsimit dhe më 2016 akt emërimi i tij u rifreskua në pozitën drejtor i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit.
Për Ministrinë e Arsimit, akt emërimi i Gashit që datonte nga 03.10.2016 ishte i paligjshëm, duke u mbështetur në Ligjin 03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës, se mandati për pozitën e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit është 3 vjeçar, pra me kohë të caktuar.
Pothuajse dy javë pasi Ministria e Arsimit mori vendimin për lirimin e Gashit nga pozita e tij, ai u ankua në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ndaj këtij vendimi. Ankesa e tij në KPMShCK rezultoi pjesërisht e bazuar.
Gashi pretendon se janë disa ngjarje që kanë ndodhur ndër vite e që sipas tij kanë sjellë edhe shkarkimin e tij.
Kur u pyet nga KALLXO.com, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se nuk është se ka pasur ndonjë çështje hakmarrëse, por vendimi i shfuqizimit të akt emërimit të Gashit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit ka qenë për arsye krejtësisht ligjore.