RRUFE

Sekretarja e Rinisë Demokratike në Skenderaj u zgjodh infermiere – dy asamblistë të PDK-së pjesë të komisionit

Në konkursin ku dy asamblistë të PDK-së ishin anëtarë të komisionit vlerësues, njëra prej kandidateve fituese doli të jetë Elona Shala, sekretarja organizative e Rinisë Demokratike në Skenderaj, komunë e udhëhequr nga kjo parti.

Shala u punësua si infermiere e përgjithshme në Urgjencën e Skenderajt, duke u vlerësuar me 80 pikë nga dy asamblistët, Ali Lutfiu dhe Nexhat Ahmeti dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit: Emine Shabani Goxhuli, Armend Musliu dhe Herolinda Rukolli Pirraku.

Elona Shala dhe Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura në një takim të Rinisë Demokratike në Skenderaj

rezultatet e publikuara në uebfaqen e Komunës shihet se në testin me shkrim, ajo ishte vlerësuar me 50 pikë, më së paku pikë nga 7 kandidatë, 4 prej të cilëve u pranuan, e tre mbetën në listë të pritjes.

Mirëpo, pikët që ajo mori në intervistë dhe vlerësim të CV-së, ishin vendimtare për të. Aty Shala u vlerësua me 30 pikë, më së shumti nga këta 7 kandidatë.

E kundërta i ndodhi një kandidateje tjetër, e cila kishte pikët maksimale në test, 58 sosh, por mori vetëm 20 pikë në intervistë, më së paku nga këta 7 kandidatë, duke mbetur në listë të pritjes.

Me dy pikë dallim, Shala ishte e fundit nga katër kandidatët fitues.

Rezultatet e konkursit për infermierë në Skenderaj

Por, Komuna e Skenderajt konsideron se nuk ka konflikt interesi në këtë rast e as ndonjë ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve.

Edhe asamblistët Ahmeti e Lutfiu, të dy edhe infermierë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj mohuan që lidhja partiake të ketë pasur ndikim në vlerësim dhe thanë se as nuk e kanë ditur që Shala është pjesë e PDK-së.

“Ajo ka konkurru si krejt tjerët edhe kurrgjë s’ka pas parregullsi aty” – tha Ahmeti për KALLXO.com.

Se a ka ndikuar partia në vlerësimin që ka bërë, ai tha jo, sepse “absolutisht as nuk e ka njohur Elonën”.

“Jo kurrë në jetë” – tha Ahmeti, kur u pyet nëse e ka takuar në ndonjë mbledhje të partisë Elona Shalën.

Edhe Ali Lutfiu pati përgjigje të ngjashme. Ai tha se as nuk e di nëse Shala është pjesë e PDK-së, sepse nuk i ka interesuar ai fakt.

“Për atë vajzën, Elonën, aktiviste e Partisë Demokratike as që e di a është a s’është se nuk m’ka interesu aty. Edhe me kanë, absolut unë nuk e llogariti që ka diçka të keqe” – tha Ai.

Lutfiu shtroi edhe një pyetje. “Pse është aktiviste e Partisë Demokratike, atëherë domethënë ajo s’paska të drejtë me hy në punë?”.

Lidhur me vlerësimin e pikëve, asamblisti tha se ka shumë njerëz që janë më të mirë në test me shkrim se sa në intervistë dhe anasjelltas.

“Edhe në praktikën e përditshme shumë ka prej atyre që me test mundet me kanë shumë e dobët ose shumë e mirë, ndërsa intervistë me gojë mundet mos me qenë njëjtë. Nuk ka diçka të keqe” – tha ai.

Postim i Rinisë Demokratike të Skenderajt për Elona Shalën

I pyetur se a e konsideron konflikt interesi që ai të jetë në komision, Lutfiu tha se ligjërisht ka të drejtë, pasi që sipas tij “ata që e kanë emëruar e kanë këqyr këtë gjë”.

“Unë ligjërisht kam të drejtë me marrë pjesë në komision, se bash më ka interesu a kam të drejtë apo jo” – tha ai.

“Përderisa, faktikisht na kanë caktu ata, domethënë si komision. Ata shumica janë juristë, e kanë këqyr atë se s’ma merr menja veç ad-hoc ashtu që na kanë vendos” – u përgjigj ai në pyetjen se ku e verifikuar se a ka të drejtë a jo të jetë pjesë e komisionit.

Ky komision është emëruar me vendim të kryetarit të Komunës, Fadil Nura më 24.06.2024.

Vendimi i Kryetarit të Skenderaj, Fadil Nura për emërimin e komisionit vlerësues për konkursin për infermierë

Zëdhënësi i Komunës, Amir Lushtaku në përgjigje për KALLXO.com tha se Lutfiu e Ahmeti kanë qenë të thirrur si profesionistë të fushës e jo si anëtarë të ndonjë subjekti politik.

“Përbërja e komisionit është përcaktuar në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe në bazë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ku përcaktohet përbërja dhe mënyra e funksionimit të organeve kolegjiale, respektivisht edhe komisionit të rekrutimit. Andaj, me rastin e formimit të komisionit, në përbërje janë caktuar zyrtarët e fushës përkatëse, pa paragjykuar apo u bazuar në angazhimin e tyre jashtë QKMF-së” – thuhet në përgjigjen e tij.

Lushtaku ka shtuar se trajtimi ka qenë i barabartë për të gjitha aplikimet, duke plotësuar kriteret e konkursit.

“Në anën tjetër, kandidatët me rastin e aplikimit kanë dorëzuar dokumentet e kërkuara me konkurs, dhe kandidatja në fjalë nuk ka paraqitur asnjë dokument që dëshmon anëtarësinë në ndonjë subjekt politik, megjithëse një dokument i tillë nuk do të ishte relevant për pozitën  në të cilën ka aplikuar” – thotë ai.

Për këtë konkurs, komisioni ka pranuar 3 ankesa, të cilat pas rishqyrtimit, siç Lushtaku, komisioni i ankesave dhe ai përzgjedhës i kanë cilësuar si të pabazuara, sepse asnjë nga kandidatët që janë ankuar nuk kanë plotësuar kriteret e konkursit për të kaluar në fazën tjetër të procedurës.

“Andaj, si përfundim konsiderojmë se në rastin e tillë nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi apo ndonjë ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve” – përfundoi ai.

Në pyetjet që KALLXO.com i ka dërguar ka kërkuar që ato të adresohen edhe te Elona Shala, mirëpo nuk ka pranuar një përgjigje direkte nga ajo.


Postuar

nga