Zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Naser Hafizi, është arrestuar sot, më 10.10.2024, në Aeroportin e Prishtinës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, e cila nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me arrestimin e Hafizit.
“Vetëm mund të konfirmoj arrestimin e tij”- ka thënë Kozmaqi për KALLXO.com.
Të martën, më 08.10.2024, KALLXO.com raportoi se sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në ambientet e kësaj Ministrie.
Ndërsa, i dyshuari i dytë, Naser Hafizi, nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij.
Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar; shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.
Ndërsa në komunikatën e PSRK-së tregohet se çka ishte gjetur gjatë bastisjeve të së martës.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 revole e tipit MAUSER-WERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë 9 mm, 34 fletë dokumente të ndryshme, 3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax, 17 USB, 3 laptopë HP, 4 shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore” .
Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.
Sipas njoftimit të dy institucioneve, aksioni u zhvillua pas hetimeve disamujore.