RRUFE

Rastet e vetëlëndimit të nxënëseve në Gjakovë të nxitura nga loja në “TikTok”, reagojnë ministret Nagavci e Haxhiu

Pas raportimeve të KALLXO.com për rastet e nxënëseve të komunës së Gjakovës të cilat kanë lënduar veten të nxitura nga një lojë në “TikTok”, më në fund ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, sot, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u ka bërë thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.

“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive. Bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisim koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve tanë dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”- ka deklaruar Nagavci.

Thirrje për kujdes me këtë rast ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se monitorimi dhe udhëzimi i prindërve është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale pas përmbajtjeve të papërshtatshme.

“Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- është shprehur Haxhiu.

Ndërkaq, në shënim të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po ashtu ka njoftuar se në kuadër të kësaj dite ka takuar dekanin e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, shefin e Departamentit të Psikologjisë, Mytaher Haskuka dhe profesoreshat e këtij Departamenti, Zamira Hyseni-Duraku dhe Linda Hoxha.

Ajo ka thënë se gjatë takimit është diskutuar në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së mirëqenies mendore të studentëve dhe personelit në institucionet e arsimit të lartë.

“Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik, dhe është thelbësor për mirëqenien tonë të përgjithshme. Andaj, është e rëndësishme të krijojmë një ambient ku të gjithë ndihen të sigurt për të kërkuar ndihmë” – ka shtuar ministrja e Arsimit.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi më 08.10.2024 se 13 nxënëse në Gjakovë i kanë lënduar duart me mjete të mprehta, të nxitura nga një video (lojë) në ‘TikTok’.

Megjithatë, numri i rasteve është rritur në 19 deri më tani, ndërsa pesë nxënëse janë duke u intervistuar nga Policia.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtoresha e Arsimit e Komunës së Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi.

“Deri tash 19 është numri i të konfirmuarve [të nxënëseve që e kanë lënduar veten] edhe pesë janë duke u gjurmu, që i bie që Policia ka foto, ka, po janë duke i intervistu” – ka thënë Kumnova-Baçi më 09.10.2024.

Sipas drejtoreshës Kumnova-Baçi, përveç nxënëseve të klasave 6 deri 9, me rastet e reja të identifikuara ka nxënëse që e kanë lënduar veten në duar edhe të një shkolle të mesme të lartë në Gjakovë.“Ka pasë edhe më duket tre ose katër raste të një shkolle të mesme [të lartë]” – ka shtuar Kumnova-Baçi.

Të gjitha rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë janë duke u trajtuar nga Policia e Prokuroria si – shtytje në vetëvrasje.

https://kallxo.com/lajm/19-nxenese-ne-gjakove-dyshohet-se-u-nxiten-nga-loja-ne-tiktok-ti-lendojne-duart-me-teh-te-mpreheseve-te-lapsave/


Postuar

nga