RRUFE

Gani Geci njofton se i vëllai i tij Fadili do të dëshmojë në Gjykatën Speciale në Hagë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka njoftuar se vëllai i tij, Fadil Geci ka udhëtuar për në Hagë, për të dëshmuar në Gjykatën Speciale.

Sipas ish-deputetit Geci, dëshmia e vëllait të tij në Gjykatën Speciale do të jetë e hapur dhe do të flitet për një deklaratë të Rexhep Selimit, i cili po ashtu është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale.

“Dëshmia e tij do të jetë e hapur, që ta dinë e gjithë bota shqiptare se kush qëndronte pas vrasjeve politike të rugovistëve, i cili do ta vërtetojë dekleratën e gjeneral Rexhep Selimit ku thotë se: “Pikë për pikë e ka shkruar Polari dhe kur i thotë Rexha Polarit: “Pse ke shkruar të pavërteta”, përgjigjja e Polarit ishte: “Po du me i shkatërrue plotësisht”” – ka shkruar Geci në Facebook, më 12.10.2024. 

Fadil Geci, Foto: Gani Geci/Facebook

Geci ka përmendur komunikatën numër 59, për të cilën thotë se kanë punuar qe 26 vjet për ta zbardhur dhe se pas shkrimit të saj, vëllai i tij, Fadil Geci në vitin 1998 i kishte shkuar në shtëpi ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Për komunikatën numër 59 kishte folur në muajin prill, 2023 edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Marigona Geci, e cila është vajza e Gani Gecit.

Deputetja Geci duke u bazuar në një deklaratë të Rexhep Selimit kishte thënë se ish-presidenti Thaçi përmes telefonit ia kishte lexuar tekstin e komunikatës numër 56 Selimit dhe kur ai e kishte pyetur ish-presidentin Thaçi se pse kishte thënë në këtë komunikatë një të pavërtetë për Gani Gecin, Thaçi kishte thënë “që ta shkatërrojmë plotësisht”.

“Në vitin 1998, pas shkrimit të kësaj komunikate famëkeqe dhe ogurzezë, vëllai ynë Fadil Geci kishte shkuar në Brojë në shtëpinë e Hashim Thaçit për të kërkuar sqarime rreth kësaj komunikate të pabazë e të paskrupullt. Aty ishte takuar me babanë e Hashim Thaçit dhe vëllanë e madh të Hashim Thaçit, Gani Thaçin” – ka thënë Geci.

Sipas tij, Gjykata Speciale e ka ftuar Fadil Gecin që t’i sqarojë takimet e tij për komunikatën numër 59.

Geci shton se pas komunikatës numër 59 kishte reaguar Shtabi i UÇK-së në Drenicë dhe se ia kishin dërguar disa dëshmi ish të burgosurit politik, Adem Demaçit dhe kryeministrit Kurti.

“Vlen të theksohet se pas kësaj komunikate, vjen reagimi i Shtabit të Drenicës dhe të gjitha dëshmitë ia kemi dërguar edhe Adem Demaçit dhe Albin Kurtit përmes tre personave që të tre janë gjallë: Rrustem Suhadolli nga Mitrovica, Merita Kajtazi  nga Tamniku dhe një person tjetër me mbiemrin Babaj e që për arsye personale, nuk po ia përmendim emrin” – ka treguar Geci.

Tutje, Geci e ka vlerësuar komunikatën numër 59 si komunikatë ‘thaçiste’ dhe si pasojë e saj ai thotë se i kanë të vrarë dy shokë dhe të plagosurë dy vëllezër.

Geci thotë se dëshminë e vëllait të tij, Fadilit në Gjykatën Speciale në Hagë, duhet ta dëgjojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të kuptuar se ka vdekur apo është vrarë ish-komandanti i UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”.

“Këtë të vërtetë para Gjykatës duhet ta dëgjojë me vëmendje edhe kryeministri Kurti që ta dijë se Abedin Rexha ka vdekur, e jo siç thotë ai kinse është vrarë në malet e Kllodernicës” – ka shtuar Geci.

Geci i ka paralajmëruar të gjithë ata që, siç shprehet ai, kanë “marrë thua” në vëllezërit Geci, se si kanë përfunduar.

“Të gjithë ata që kanë “marrë në thua” në ne, kanë përfunduar si është më së keqi. Dikush ka mbetur në Hagë e disa nën hije të mrizit, e disave Zoti i madh ua ka marrë shpirtin pa të keqen e askujt! Dhe për në fund, jemi të bindur se drejtësia do të triumfojë se afër tri dekada kemi luftua fyt për fyt me tradhtarë, për ta zbardhur të vërtetën, eh pra sot i erdhi dita që të zbardhet e vërteta rreth Komunikatës 59” – ka theksuar ai.

Në anën tjetër, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27.02.2023 e kishte dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale mund t’i lexoni në këtë LINK.