Në debatin për Kaçanikun në kuadër të “Jeta në Komunë”, asamblistja e LDK-së, Ardita Rrahmani ngriti si problematikë gjendjen e shkollave të kësaj komune.
Rrahmani tha se gjendja në shkollën “Emin Duraku” është e mjerueshme.
‘Kryetar, ‘Emin Duraku’ kur fillon? Shkolla më e madhe në Kaçanik, është mjerim ku i çojmë nxënësit me mbajt mësim e mëshimdhënësit ku japin mësim” – deklaroi Rrahmani.
Sipas saj, objekti është shumë i vjetër dhe kundërmon.
Ngjashëm është edhe shkolla në fshatin Doganaj.
“Jeta në Komunë” ka parë se objekti i kësaj shkolle është i vjetër, i ka xhamat e thyer, dyshemeja është e dëmtuar dhe se banjot janë në gjendje jo të mirë.
Për këto shkolla, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi pati një arsyetim.
“Për ‘Emin Durakun’ çdo vit bëjmë kërkesa në Ministri të Arsimit për shkak se mundësitë buxhetore të Komunës nuk janë për me ndërtu, sepse kap vlerën, nëse s’gaboj mbi 3 milionë euro’ – deklaroi Ilazi.
Për shkollën në Doganaj, tha se ka filluar objekti i ri por se ende nuk ka përfunduar.
“Objekti i ri ka fillu në vitin 2019 e do duhej të përfundoj në 2020. Përkundër shkresave nuk kemi marr përgjigje pse kjo shkollë ka mbet në atë formë’ – deklaroi Ilazi.
Kur u përballë nga Jeta Xharra, me xhamat e thyer të kësaj shkolle, Ilazi tha se po i sheh për herë të parë.
‘Kjo mund të rregullohet brenda dite, pajtohem por unë po i shoh sot’ – tha Ilazi.