Në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin të hënën më 14.10.2024 do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.
Nga Kosova në Samitin e 10-të të kësaj nisme të rëndësishme rajonale do të marr pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë Samit, si çdo vit tjetër pritet të nënshkruhen marrëveshje që kanë ndikim në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në fillim ishin shpërfaqur dyshime se mos Kosova nuk do të marr pjesë ose të përjashtohet për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia.
Kështu kishte paralajmëruar emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin që nga fundi i gushtit.
Sarrazin vazhdimisht kishte bërë presion ndaj Kosovës që të zhbllokohen mallrat nga Serbia si formë e bashkëpunimit rajonal ashtu siç kërkon Procesi i Berlinit.
Sidoqoftë, skenari ndryshoi pasiqë Kosova zhbllokoi mallrat serbe në pikën kufitare në Merdare.
Kjo hapi rrugën që të merret vendimi që Kosova mos të përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), por nga zyrtarët e saj shtetërorë.
CEFTA është e lidhur ngushtë me Procesin e Berlinit ngase ideja e kësaj të fundit është që të rritet bashkëpunimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të lehtësohet integrimi i tyre në Bashkimin Europian.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.
Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.
Marrëveshja për heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin kishte hyrë në fuqi në vitin 2023, që ishte një nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Me kalimin e viteve, Procesi i Berlinit u zgjerua dhe prej atëherë mbahen samite të përvjetshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë, Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.
Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Bërthama e Procesit të Berlinit është “Agjenda e Lidhshmërisë”, që ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Agjenda e Gjelbër, ndërkaq, u nënshkruan në Samitin e Sofjes, më 2020.
Samitet janë mbajtur në vende të ndryshme që nga fillimi i nisjes të tij.
Në vitin 2023 Samiti i Berlinit u mbajtë në Tiranë. Ndërsa në vitin 2022, 2021 dhe 2014 ishte mbajtur në Berlin.
Në vitin 2020, Samiti ishte mbajtur në Sofia të Bullgarisë; në 2019 në Poznan të Polonisë; në vitin 2018 në Londër të Anglisë; në vitin 2017 në Trieste të Italisë; në vitin 2016 në Paris të Francës dhe në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë.
Në vitin 2023 për herë të parë ky samit u mbajt jashtë kufijve të BE-së, në Tiranë të Shqipërisë.
Disa nga marrëveshjet e nënshkruara kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Në kuadër të këtyre vendimeve ishte nënshkruar marrëveshje për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve e cila buron nga Procesi i Berlinit, as boshnjakët e as kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. E gjitha për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha etnitetet e Presidencës boshnjake, apo thënë ndryshe, është bllokuar nga Republika Serbe në krye me Millorad Dodik-un.