Dyshohet se tetë nxënës të një shkolle fillore të mesme të ulët në një fshat të komunës së Kamenicës, më 11.10.2024, kanë tentuar ta lëndojnë njëri-tjetrin, duke u ndikuar nga një lojë e rrezikshme në TikTok.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi.
Nxënësit në Kamenicë, sipas tij, kanë rrezikuar vetën dhe njëri-tjetrin duke u bazuar në videot e shfaqura në TikTok.
E gjitha, siç ka thënë ai, ka ndodhur para fillimit të mësimit, të premten më 11.10.2024.
“Fatkeqësisht, bazuar në ato lojërat edhe shenjat e TikTok-ut, fëmijët në shkollën fillore kanë bërë një lojë të tillë, përmes së cilës e kanë sfidu veten edhe njëri-tjetrin [me një veprim të rrezikshëm]… Për këtë punë janë njoftu edhe prindërit” – ka thënë Dervishi, më 14.10.2024.
Drejtoria e shkollës fillore të mesme të ulët në Kamenicë e ka raportuar rastin e nxënësve në Policinë e Kosovës, njofton zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.
Sipas Hashanit, nuk është hapur rast në Polici, pasi nuk ka pasur elemente se nxënësit e kanë lënduar njëri-tjetrin.
“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës është njoftuar nga drejtoria e një shkolle të mesme të ulët në komuna Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë vetën, shkak sfida e rrjeteve sociale në Tik-Tok. Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbetet shënim zyrtar” – është përgjigjur Hashani, më 14.10.2024.
Ndërsa, drejtori Dervishi ka treguar se në mesin e nxënësve që kanë provuar ta sfidojnë njëri-tjetrin me lojën e rrezikshme, një ka qenë i klasës së gjashtë, ndërsa të tjerët të klasave 8 dhe 9.
“Nxënësit janë në shkollë. Menjëherë prindërit janë thirrë. Ata e kanë pranu … S’ka lëndime, nuk ka pasoja” – tha Dervishi.
I pyetur se a ka psikolog në shkollën fillore të mesme të ulët në Kamenicë, aty ku ka ndodhur rasti, ai e ka mohuar.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Visar Islami, pas këtij rasti në Kamenicë dhe 19 rasteve të fundit që u raportuan të nxënëseve në Gjakovë që kanë lënduar veten të nxitura nga një video (lojë) në TikTok.
Islami ka njoftuar se si Këshill i Prindërve kanë mbajtur një takim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Policinë e Kosovës javën e kaluar, më 10.10.2024, kurse një ditë më pas janë takuar si Këshill i Prindërve për të diskutuar lidhur me rastet e nxënëseve që lënduan veten në Gjakovë.
“Ne si Këshill i Prindërve [të Kosovës] realisht kemi mbajt takime me DKA-të në nivel të Kosovës. Edhe kemi mbajt takime me Policinë. Me Policinë e kemi pas të enjten e kalume [10.10.2024]. Të premten [11.10.2024] e kemi pas takimin si Këshill i Prindërve në nivel Kosove edhe kemi diskutu që prindërit realisht me u angazhu pak ma shumë me fëmijën e tyre. Secili me marrë masa, me i kontrollu telefonat, me kanë më aktiv” – ka thënë Islami, më 14.10.2024.
Për videon (lojen) në TikTok që po dyshohet se i ka nxitur nxënësit në Kamenicë e Gjakovë ta lëndojnë veten, Islami konsideron se i ka shqetësuar shumë.
“Kjo loja e TikTok-ut është bo virale edhe është duke na shqetësuar shumë … Ka raste që po besoj se nuk po bohen mediatike për shkak se prindërit po mundohen me i mbyll ato” – tha ai.
Të martën, më 08.10.2024, Gjakova e nisi ditën me njoftimin se drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova- Baçi i ka raportuar në Polici tri nxënëse se janë vetëlënduar.
Në fund të ditës së martë, dolën edhe 10 raste të tjera të nxënëseve të klasave 6 deri në 9, duke e ngritur numrin në 13 raste të nxënëseve që i kanë lënduar duart me mjete të mprehta.
E më 09.10.2024, u raportua se janë gjithsej 19 nxënëse që kanë lënduar veten në Gjakovë. Kjo u zbulua pasi vazhduan kontrollat e nxënësve në shkolla nga drejtorët e shkollave, psikologët e kujdestarët e klasave.
Të gjitha rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë janë duke u trajtuar nga Policia e Prokuroria si – shtytje në vetëvrasje.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com se janë 19 nxënëse deri më tani në Gjakovë që dyshohet se e kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore.
Pas raportimeve të KALLXO.com për rastet e nxënëseve të komunës së Gjakovës të cilat kanë lënduar veten të nxitura nga një lojë në “TikTok”, më në fund reagoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.
“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive. Bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisim koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve tanë dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”- ka deklaruar Nagavci.
Thirrje për kujdes me këtë rast ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se monitorimi dhe udhëzimi i prindërve është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale pas përmbajtjeve të papërshtatshme.
“Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- ishte shprehur Haxhiu.
Në anën tjetër, më 30.05.2024 janë raportuar 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”.
Ndërsa, më 31.05.2024, KALLXO.com ka raportuar se tre nxënës nën moshën 14-vjeçare të shkollës fillore të mesme të ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të komunës së Lipjanit, ishin lënduar të nxitur po ashtu nga një video (lojë) në “TikTok”.