RRUFE

Gjykimi ndaj Besnik Krasniqi, i akuzuar se punësoi të emëruarin politik – Çka tha dëshmitari në Gjykatë?

Në Gjykatën e Prizrenit sot, më 14.10.2024, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Besnik Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Besnik Krasniqi, kryetar i AAK-së në Prizren, pretendohet se punësoi të emëruarin politik në pozitën e drejtorit të bordit të kompanisë “Eko Regjioni”.

Palë e dëmtuar në këtë rast është Bujar Dakaj.

Në seancën e sotme para trupit gjykues prezantoi dëshmitari Edmond Hoxha.

Gjatë deklaratës dëshmitari Hoxha tha se është anëtar i AAK-së në Prizren rreth 10 vite.

Pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Krasniqi, avokati Forti Skoro, trupi gjykues lejoi që dëshmitari të ballafaqohet me njoftimin e degës së AAK-së të marrë nga portali “04 online”, që kishte të bënte mbi zgjedhjen e kryesisë së re e cila përbëhet prej 31 anëtarëve.

Lidhur me njoftimin në fjalë, dëshmitari tha se përmbajtjen e tillë e kishte parë në portal, dhe sipas tij përmbajtja e listës nuk është e saktë.

Sipas dëshmitarit, gabimi në njoftimin e portalit ishte se Liridon Sallauka nuk ka qenë sekretar i përgjithshëm, dhe shtoi se sipas njohurive të tij sekretar i përgjithshëm në atë kohë ka qenë Gazmend Kërkezi.

Dëshmitari gjatë marrjes në pyetje deklaroi se nga njohuritë e tij Liridon Sallauka prej muajit qershor të vitit 2022 nuk ka qenë në asnjë pozitë udhëheqëse në degën e AAK-së në Prizren.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Hoxha, prokurori Mehdi Sefa e ballafaqoi at[ me një foto – provë  të administruar nga Gjykata të datës 01.06.2024. Prokurori kërkoi nëse mundej dëshmitari nga fotoja t’i identifikonte personat me emrin Gazmend Kërkezi dhe Liridon Sallauka.

Por, trupi gjykues mori vendim që pyetja e tillë të refuzohet, kjo pas kundërshtimit të mbrojtjes, e cila tha se fotoja nuk ishte administruar.

Pas dëgjimit të dëshmitarit. prokurori Sefa deklaroi vërejtjet duke arsyetuar se dëshmitari ishte dëshmitar i mbrojtjes, “sekretar ekzekutiv dega në Prizren dhe përgjigjet drejtpërdrejt kryetarit të degës, këtu të akuzuarit Besnik Krasniqi’’.

Në fund, u aprovua  propozimi i prokurorit Sefa që të ftohet dëshmitari Luan Sallauka. Sipas tij ishte personi më përgjegjës për të mohuar ose pohuar një fakt, lidhur me fotot ku sipas tij dëshmitarët e mbrojtjes e kanë demantuar se është Liridon Sallauka.

Gjithashtu u aprovua edhe administrimi i provave: vendimi i datës 06.06.2022 dhe kërkesa për KQZ dhe përgjigjja në kërkesën e Liridon Sallaukës.

Ky vendim u mor pasi që mbrojtja tha që “nga dëgjimi i dëshmitarëve Liridon Sallauka dhe Gazmend Kërkezi është premtuar që të nj[jtit të dorëzojnë vendimin për emërimin e sekretarit të përgjithshëm i degës së AAK-së në Prizren, si dhe përgjigjen nga KQZ se Liridon Sallauka nuk ka qenë në listat zgjedhore të KQZ për zgjedhjet lokale të vitit 2021’’ – deklaroi avokati Forti Skoro.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 31.10.2024.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Raima Elezi, Teuta Krusha dhe Nazim Vllaço.

Kujtojmë se Prokuroria e Prizrenit më 31.07.2023 kishte ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit për shkak që më 20.06.2022 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrat e tij zyrtare në cilësinë e kryetarit të komisionit të aksionarëve “Eko-Regjioni” në Prizren, duke vënë në lajthim faktik dy anëtarët e tjerë të komisionit, nxjerr vendim dhe e emëron përkohësisht Liridon Sallaukën kryetar të bordit të drejtorëve të “Eko-Regjionit”.

Në aktakuzë thuhet që Liridon Sallauka ishte i emëruar politik, përkatësisht sekretar i përgjithshëm i AAK-së – dega në Prizren dhe në këtë mënyrë me të njëjtin vendim e ka shkarkuar Bujar Dakajn nga pozita e kryesuesit të bordit.

Potencojmë që i akuzuari Besnik Krasniqi është kryetar i AAK-së  – dega në Prizren.