Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi që dyshohet se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe disa pjestarëve të Policisë së Kosovës, gjatë protestës së dhunshme të disa qytetarëve serbë më 29.05.2023 në Zveçan.
Sipas njoftimit të prokurorisë më 15.10.2024, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit me inicialet L.D, për shkak të kryerjes së veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe“Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
“Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”- theksohet në kumtesën e Prokurorisë Speciale.
Më tej theksohet se Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.
93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej tyre rëndë pasi u sulmuan në Zveçan në maj të 2023-ës gjatë protestës së dhunshme të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që kryetarët shqiptarë të komunave të vendoseshin në objektet komunale.

KFOR-i ka kërkuar që të mbahen sulmuesit e tyre të mbahen përgjegjës, derisa ka vlerësuar se sulmet ishin të paprovokuara dhe se ishin krejtësisht të papranueshme. Ndërkaq Policia e Kosovës kishte arrestuar disa të dyshuar për sulmin ndaj tyre dhe ndaj KFOR-it.
Në lidhje me protestën e dhunshme në Zveçan, më 11.06.2024 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.O.
Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë më 27.02.2024 për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.
Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë në shumën 6 mijë euro.
Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.
Tensionet në veri të vendit në maj të 2023-ës pasuan me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24.09.2024 nga grupi i armatosur serb në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosoëvs.
Gjatë sulmit, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosoëvs, tashmë hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm, më 11.09.2024 Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Pas zhvillimeve në veri, KFOR-i ka shtuar edhe numrin e trupave në Kosovë. KFOR-i në Kosovë aktualisht ka 4,443 trupa.