RRUFE

Gjykimi i dy të akuzuarve për keqpërdorim detyre në Komunën e Suharekës, mbrojtja propozon negocimin e marrëveshjes

Në seancën ndaj dy të pandehurve Beqir Berisha dhe Berat Kabashi, sot, më 15.10.2024, në Gjykatën e Prizrenit, mbrojtja ka propozuar negocimin e marrëveshjes.

Të pandehurit Beqir Berisha dhe Berat Kabashi dyshohen se i kanë shkaktuar dëm Komunës së Suharekës në vlerë 6 mijë e 839 euro.

Gjatë seancës, mbrojtësi i të pandehurit Beqir Berisha, avokat Arben Ramadani, deklaroi se janë të gatshëm për negocim të marrëveshjes me Prokurorinë.

Pas kësaj, edhe i pandehuri Beqir Berisha u pajtua me fjalën e mbrojtësit të tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Berat Kabashi, avokati Besim Morina, deklaroi se pas konsultimeve me të mbrojturin e tij, pajtohet me propozimin lidhur me negocimin e marrëveshjes.

Avokati shtoi se edhe klienti i tij ka probleme familjare shëndetësore, është i papunë dhe çfarëdo zvarritje e mëtejmë e paarsyeshme vetëm do t’ia rëndonte gjendjen e tij në përgjithësi.

Më fjalët e mbrojtësit u pajtua i pandehuri Berat Kabashi.

Gjithashtu, edhe prokurorja Ervehe Gashi u pajtua që të fillohet negocimi mbi marrëveshjen.

E njëjta fton të gjitha palët në procedurë për datë 18.10.2024.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi mori vendim që varësisht prej rezultateve lidhur me kërkesën për negocimin e marrëveshjes seanca e radhës u caktua që  të mbahet më 22 tetor të këtij viti.

Prokuroria e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 18.06.2024, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Beqir Berisha dhe Berat Kabashi, për shkak se sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale -keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Beqir Berisha dhe Berat Kabashi kanë cilësinë e personave zyrtarë.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Beqir Berisha në cilësinë e menaxherit të kontratës, për projektin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, ndërsa i pandehuri Berat Kabashi në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, prej datës 22.05.2018  e deri më 22.10.2018, në Suharekë, të akuzuarit i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt.

“Gjatë kësaj kohe në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik, pa miratimin e kryetarit të Komunës së Suharekës, i pandehuri Berat Kabashi, ndryshon, ndërsa i pandehuri Beqir Berisha, i aprovon paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve” – thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit – poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plastifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me barë natyror.

Në aktakuzë përshkruhet se “Me këto veprime Komunës së Suharekës i shkaktojnë dëm të material në shumë prej 6 mijë e 839 euro, ndërsa operatorit ekonomik me seli në Prishtinë, i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumë prej 6 mijë e 839 euro”.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.