Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se qëndrimi i Millorad Dodik për bllokimin e vizave për kosovarët tregon një “mospërfillje për lirinë e lëvizjes të popullit të tij dhe ndaj progresit”.
Rohde ka thënë se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka vlerësuar vendimin e Kosovës për të lejuar udhëtimin pa viza për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës.
Sipas tij, Sarrazin e ka cilësuar vendimin e Kosovës si një hap pozitiv në frymën e Procesit të Berlinit.
“Bllokada e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës tregon mospërfillje për lirinë e lëvizjes së popullit të tij dhe progresin”- ka shkruar Rohde në ‘X’,
Sarrazin, në një konferencë për gazetarët të mbajtur një ditë pas Samitit të Procesit të Berlinit, ka thënë se Gjermania që nga viti 2022 kërkon nga Dodik heqjen e vetos kombëtare për të zhbllokuar vendimmarrjen rreth lejimit të kosovarëve për të udhëtuar drejt Bosnje e Hercegovinës vetëm më letërnjoftim.
Nga data 01.01.2025, mbajtësit e dokumenteve të identifikimit të Bosnje dhe Hercegovinës do të mund udhëtojnë për në Kosovë lirshëm.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në Samitin e Procesit të Berlinit.
Kurti tha se Kosova merr këtë vendim njëanshëm, pasi Bosnje dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen që qytetarët e të dyja vendeve të lëvizin vetëm me letërnjoftime.
“Entiteti Republika Srpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes së lëvizshmërisë për lëvizje të lirë me ID, që vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës në mënyrë të njëanshme do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID të Bosnjës dhe Hercegovinës”- ka thënë Kurti.
Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve e cila buron nga Procesi i Berlinit, as boshnjakët e as kosovarët nuk mund të udhëtonin lirshëm nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. E gjitha për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha etnitetet e Presidencës boshnjake, apo thënë ndryshe, është bllokuar nga Republika Serbe në krye me Millorad Dodikun.
Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë, kërkohet vizë e cila lëshohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të vendit. Megjithatë, aplikimi për vizë nuk bëhet në Kosovë, por vetëm në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë.
Kuvendi i Kosovës më 23.02.2023 ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kuvendin e Bosnjës dhe Hercegovinës. E njëjta është pritur të votohet më 23.01.2023 edhe në Këshillin e Ministrave në Bosnjë, por Këshilli e kishte shtyrë këtë pikë. Kjo marrëveshje është njëra prej tri sosh të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Që të fillojë zbatimi i marrëveshjes duhet që dokumentet të ratifikohen në të dy parlamentet brenda 18 muajve. Sipas vendimit të Këshillit të ministrave të BiH nga viti 2012, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në këtë shtet si turistë.
Së fundmi, më 28.05.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka rikujtuar rëndësinë që ka fillimi zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Të njëjtën çështje, Kurti e ka ngritur edhe gjatë Samitit në Kotor më 16 maj 2024.
Prej vitesh, heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar nga Millorad Dodik, i cili është në krye të Aleancës qeverisëse të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
https://kallxo.com/gjate/analize/heqja-e-vizave-per-kosoven-nga-bosnja-e-hercegovina-mbahet-peng-nga-dodiku/