RRUFE

Gjykimi i gjeodetit për ndarje të pronës pa kërkesën e njërit prej bashkëpronarëve, çka deklaroi eksperti i gjeodezisë?

Bajram Selmani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është ulur në bankën e të akuzuarve sot, më 16.10.2024, në Gjykatën e Prizrenit.

Në seancën e sotme ka dëshmuar eksperti i gjeodezisë, Faton Bajselmani.

Fillimisht, eksperti u mor në pyetje nga prokurori Mehdi Sefa.

Prokurori Sefa pyeti se kërkesa për ndarjen e dy parcelave është parashtruar nga tre bashkëpronarë, se a mund të parashtrohej një kërkesë e tillë për ndarje të pronave pa kërkesën edhe të një bashkëpronari, pasi që eksperti theksoi se në bazë të shkresave të lëndës në të dy parcelat kishin të bëjnë me katër bashkëpronarë.

Eksperti Bajselmani tha se në bazë të udhëzimit administrativ me numër 02/2013, neni 13, në paragrafin e 4, përshkruhet saktësisht se kush e inicion procedurën për ndarje të parcelave kadastrale.

I njëjti shtoi se sipas këtij neni, kërkesën për fillimin e procedurës për ndarje mund ta bëjë pronari i pronës ose nga personi i cili mund ta fitojë të drejtën e pronësisë e të cilin e autorizon pronari i pronës.

Eksperti në fjalë deklaroi se gjeodeti i licencuar ka kryer ndarjen e parcelave në bazë të kërkesës së tre bashkëposeduesve pa njërin prej tyre, gjithmonë duke u referuar në marrëveshje dhe skicën e mëparshme që kanë poseduar bashkëpronarët.

Gjithashtu, eksperti Bajselmani deklaroi se udhëzimi administrativ me numër 02/2013, neni 13, përkatësisht paragrafi 4, nuk e specifikon saktësisht kur prona ka disa bashkëpronarë.

Eksperti deklaroi se parcelat pas ndarjes nuk e kanë sipërfaqën e barabartë, pasi që besohet se parcelat në terren paraprakisht kanë qenë të ndara fizikisht dhe në këtë rast, sipas tij, gjeodeti i licencuar ka incizuar gjendjen faktike dhe si rezultat ka fituar sipërfaqe jo të barabartë mes tyre.

Prokurori Sefa e pyeti tutje ekspertin se cilat dokumente duhet t’i bashkëngjiten kësaj kërkese.

Lidhur me këtë pyetje, eksperti u përgjigj se për dokumentet e kërkuara me rastin e parashtrimit të kërkesës për ndarjen e parcelave te gjeodeti, nuk specifikohet as në ligj, as në udhëzime administrative e as në kornizat e punës të asaj kohe.

Eksperti i gjeodezisë deklaroi se gjeodeti i licencuar në rastin konkret i ka pasur provat si certifikatën e pronësisë, kopjen e planit. Sipas tij, gjeodeti nuk e ka pasur letërnjoftimin apo ID kartën e njërit prej bashkëpronarëve.

Tutje, në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Rexhep Kabashi, se nëse kishte gjetur në shkresat e lëndës ndonjë dokument të shkruar ku i dëmtuari e ka dhënë pëlqimin për ndarjen fizike, eksperti tha se në bazë të shkresave të lëndës i vetmi vend ku i dëmtuari jep pëlqimin për ndarjen e parcelave është marrëveshja e datës 30.10.2008.

Në anën tjetër, ekspertit i parashtroi pyetje edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokat Hazër Susuri.

Sipas avokatit, në bazë të aktvendimit të datës 12.02.2018 është bërë ndarja në pjesë ideale nga 1/4 për secilin bashkëpronar. “Kjo ndarje në pjesë ideale a e ka dëmtuar ndonjë bashkëpronar?” – pyeti avokati Susuri.

“Sa i përket pjesës ideale prej 1/4 mendojmë që nuk është dëmtuar asnjë palë, pasi që ndarja idealisht nënkupton barazi” – u përgjigj eksperti në pyetjen e parashtruar nga mbrojtja.

Në fund, eksperti Bajselmani tha që mbetej pranë të gjitha konstatimeve në raportin me shkrim.

Ndërsa, seanca e radhës është caktuar që të vazhdojë më 17.10.2024.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bajram Selmani më 10.12.2017 në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar, gjeodet i licencuar, ka keqpërdorur detyrën e tij duke bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar, këtu njëherit edhe i dëmtuari Gj.Gj., me ç’rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës.

Në dosje thuhet që i akuzuari Bajram Selmani me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona të tjerë, vëllezërit P., Gj. dhe M.Gj., e që pretendohet të ketë shkelur të drejtat e personit tjetër bashkëpronar Gj.Gj. ka ndërmarrë veprimet e lartcekura.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Teuta Krusha, Raima Elezi dhe Nazim Vllaço.