Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura në vitin 2021 kur garonte për të parin e kësaj komune, ndryshe prej kolegëve të tij, nuk kishte marrë pjesë në debatin ‘Kallxo Përnime’ përballë kundër-kandidatëve të tij.
Mirëpo, pasi fitoi mandatin Nura erdhi dhe dha disa premtime për projektet që do të realizoheshin – disa në një afat më të shkurtër e disa brenda katër vitëve në Skenderaj.
Për këto premtime Nura u përball në debatin “Jeta në Komunë” me hulumtimin e ekipit të KALLXO.com, i cili për secilën fjalë të dhënë të kryetarit kishte dalë në terren për ta verifikuar atë.
Video-materiali nisi me premtimin për fasadimin e ndërtesave të vjetra në qendër të qytetit. Hulumtimi shfaqi se projekti i fasadimit të objekteve banesore në sheshin “Adem Jashari” ka përfunduar vitin e kaluar, më 2023.
Në anën tjetër, vulën “rrenë” mori premtimi për publikimin e listës së uzurpatorëve. Video-materiali shpalosi se nuk është publike ende lista e uzurpatorëve të pronave publike të Skenderajt. E për këtë Fadil Nura në debatin e datës 18.10.2024, pati një arsye.
“Na nuk e kena publiku për faktin sepse nuk kemi dashtë sepse janë ndërtime të para luftës, shumë të vjetra dhe e drejta e pronësisë me ligj, ata që e shfrytëzojnë për një periudhë të gjatë ekzistojnë një të drejtë elementare që në mënyrë abuzive nuk mundemi me rregullu. Na e kena rregullu përmes rregullorës për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba, që shfrytëzimi i pronave ilegale i kemi tatimu për dhjetëfish. Janë tu i pagu” – tha Nura, duke shtuar se tetë shfrytëzues janë ilegalë, ndërsa 7 raste të tjera “i kemi zgjidhë në kuadër të planifikimi urban”.
Hulumtimi i ekipit të KALLXO.com nga terreni identifikoi se rruga e cila premtuar në lagjen “Qarkaj” në fshatin Rakinicë nuk është shtruar.
“Ky projekt tashmë është kontraktuar dhe do të realizohet vitin e ardhshëm sipas mundësisë buxhetore” – është përgjigja e komunës për mos asfaltimin e kësaj rruge.
Ndërkaq, në fshatin Klinë e Epërme, banori Xhevet Osaj thotë se është realizuar fusha e sporteve, e cila ishte premtuar, ndërsa ende nuk është realizuar premtimi për trotuare dhe ndriçim publik në lagjen “Osaj.”
“Ajo është në proces, ndriçimi ka arritë në Klinën e Mesme është duke vazhdu në Klinën e Epërme, përkatësisht në lagjen ‘Osaj’” – ka thënë Nura duke shtuar se sa i përket trotuareve, komuna ka llogaritur t’i fusë në kuadër të projektit të subqendrës në Klinë të Epërme, që do të fillojë vitin e ardhshëm (2025).
“Nga shkollat do ta hjeki krej shkumësin” – ishte fjala e dhënë e Fadil Nurës më 29.11.2021. Krypometri gjeti se ende disa shkolla të Skenderajt nuk janë digjitalizuar.
Një premtim i realizuar nga komuna e udhëhequr nga Fadil Nura është ajo e funksionalizimit të shkollës fillore “Elena Gjika” në fshatin Makërmal.