Në debatin “Jeta në Komunë”, Fadil Nura është përballur me një video-material i cili shfaqë disa projekte që janë promovuar si sukses në faqen në Facebook dhe se në terren janë hasur mangësi.
Ky material nisi me postimin që kryetari i Skenderajt në dhjetor 2023 tregonte se drunjtë e tharë të mbjellur në rrugën “17 Shkurti” ishin ndërruar. Ky ishte postimi i dytë që tregon se në këtë rrugë po zëvendësoheshin drunjtë.

Për ‘dështimin’ e tyre, kryetari Fadil Nura tha se rreth 20 për qind e drunjve janë tharë për shkak të gjendjes së tokës.
“Kjo është pak çështje sensitive, sepse drunjtë janë mbjellur nëpër rrugë që kanë thatësi të madhe të zhavorit. 20% prej tyre na kanë dështu sivjet, dhe kompania e ka për obligim që t’i zëvendosojë ose në fund të këtij viti ose në pranverën e vitit të ardhshëm”- tha Nura në “Jeta në Komunë” më 18.10.2024.
Më tij, materiali shfaqi se një projekti tjetër madhor në qendër të qytetit të Skenderajt është edhe Bulevardi “Ilaz Kodra” të cilin komunarët i kanë kushtuar disa postime në Facebook.
Mirëpo, në pamje të bukura të këtij bulevardi nuk shfaqet trotuari i cili ka mbetur pa intervenim e që është i vështirë i kalueshëm me karrocë. Pamjet nga qendra e Skenderajt tregojnë që Komuna nuk e ka përfunduar projektin në zonën e urës.
“Keni të drejtë, sepse ura ka mbetë sepse është projekt në veti. Do të jetë projekt që do të jetë ura në harmoni me ‘Sahat Kullën’ që do të jetë pjesë bukur e dukshme e qytetit dhe një urë që do të jetë reprezentative për qytetin e Skenderajt” – tha Fadil Nura lidhur me gjendjen e kësaj pjese të urës pasi ndoqi reportazhin e ekipit të KALLXO.com.

Po ashtu, reportazhi tregon se në vitin 2022, Komuna e Skenderajt është lavdëruar në Facebook për ndriçimin e parkut Idriz Rrecaj. Mbrëmjen e 04.07.2022 fotografitë tregonin ndriçim të parkut.
Gjendja nuk është e njëjtë dy vite më vonë. Në filmimet e datës 09.10.2024 kur në Skenderaj kishte energji elektrike parku nuk kishte ndriçim.
E për gjendjen e parkut në errësirë, Fadil Nura fajësoi vërshimet e janarit 2023 që kanë ‘prishur’ sistemin.
“Është zona ku është goditë më së shumti nga vërshimet e 17 janarit dhe kemi bë përpjekje me funksionalizu por është problem. Tash e kemi në kuadër të mega projektit 1 milionë e gjysmë që do ta ndryshojmë komplet sistemin, sepse me këtë tash është e pamundur” – tha Nura më 18.10.2024 në “DebatPërnime” në Asamblenë e Skenderajt.
