Nga zyrtarët policorë të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara, janë realizuar 301 urdhëresa të gjykatës. Prej tyre, 83 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.
Ndërkohë, gjatë të njëjtës periudhë kohore janë shqiptuar mbi 5,200 gjoba në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, konform urdhëresave, “pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa”.
Aktivitetet policore thuhet se janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
“Gjatë periudhës së njëjtë, janë sekuestruar 8 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5269 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor”- bënë të ditura me tej policia.