RRUFE

Marrëveshja e dalë nga Samiti i Procesit të Berlinit lehtëson bashkëpunimin mes shteteve për arsimin e lartë

Më 14 tetor në kryeqendrën e Gjermanisë në Berlin, prijësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një “Marrëveshje për qasjen në arsim të lartë dhe pranim për studime në secilin prej shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka publikuar vjegëzën e kësaj ujdie që lehtëson bashkëpunimin mes shteteve për arsimimin e lartë. Pra fjala është për bashkëpunim mes Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë të Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinë dhe Serbisë.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë një anëtare proaktive dhe standarde në Procesin e Berlinit, duke avokuar për përparim më të madh me rregullat dhe vlerat e BE-së në thelb të tij”- ka shkruar Kurti.

Kjo Marrëveshje rregullon qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar institucionet e arsimit të lartë publik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, shkruan në marrëveshje.

Fjala “palë” ashtu siç referohet në Marrëveshje, përfshin secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Me këtë Marrëveshje rregullohen të drejtat për arsimim pa pagesë, strehim dhe bursë sipas kuadrit legjislativ të secilës palë.

“Palët bien dakord t’u japin aplikantëve nga palët e tjera (shtetet e Ballkanit Perëndimor) qasje dhe pranim në institucionet përkatëse të arsimit të lartë publik të njëjtë ose të barabartë me hyrjen dhe pranimin kriteret për aplikantët nga pala pritëse”- shkruan në Marrëveshje.

Nëse kërkohen kualifikime ose arritje specifike në një lëndë ose lëndë specifike pranimin në një program të caktuar studimi të arsimit të lartë, aplikantët nga Palët e tjera nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje do t’i plotësojnë këto kërkesa sipas kushteve që korrespondojnë me to kërkohet nga aplikantët nga Pala pritëse, shkruan në Marrëveshjen e 14 tetorit.

Në fillim të Marrëveshjes shkruan se ishte shtruar nevoja për një ujdi të tillë mes gjashtë shteteve, duke marrë parasysh rëndësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve, me synimin për të lehtësuar qasjen dhe pranimin për të diplomuarit e arsimit të mesëm dhe studentët e gjashtë shteteve, që dëshirojnë të fillojnë studimet e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë të secilës prej shteteve tjera.

Ndër të tjera shkruan se janë të bindur se kjo Marrëveshje do të rrisë cilësinë e Arsimit të Lartë, krijimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe promovimi i lëvizshmërisë së studentëve dhe akademikëve si zhvillim i programeve të shkëmbimit brenda shteteve.

Sipas Marrëveshjes, nëse njëra palë tërhiqet nga kjo Marrëveshje, ajo do të pushojë së qeni efektive vetëm për atë palë brenda 30 ditëve nga data e dërgimit të njoftimit për këtë te depozituesi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz kishte thënë për këtë marrëveshje se përcakton që studentët të mund të ndjekin universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në të gjithë rajonin.

“Kështu, një gjeneratë rritet më afër: jeton, mëson dhe studion së bashku”- tha ai më 14.10.2024.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.

Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.

Me kalimin e viteve, Procesi i Berlinit u zgjerua dhe prej atëherë mbahen samite të përvjetshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë, Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.

Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.


Postuar

nga