RRUFE

Shënohet në Prishtinë 70-vjetori i lindjes dhe 50-vjetori i krijimtarisë letrare të poetit, Skënder Sherifi

Organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” është mbajtur sot, më 21.10.2024,  një takim letrar me poetin shqiptaro- frankofon, Skënder Sherifi.

Ky takim letrar u mbajt për të shënuar 70- vjetorin e lindjes dhe 50 -vjetorin e krijimtarisë letrare të poetit Sherifi.

Skënder Sherifi është poet shqiptaro-frankofon i disa veprave letrare, ku shquhet për origjinalitetin, stilin dhe veçantinë e vargut poetik. Krijimtarinë e tij letrare, ai e zhvilloi jashtë atdheut, në Francë e Belgjikë. Sherifi çmohet për lirinë individuale dhe shmangien nga klanet dhe grupet e ndryshme letrare, një “poet rebel” dhe shpesh herë i keqkuptuar.

Veprat e para të tij janë botuar fillimisht në gjuhën frënge më 1980 në Paris, për t’u përkthyer dhe botuar pak kohë më pas në Prishtinë. Studiues të letërsisë dhe artit shqiptar, thanë gjatë këtij takimi se Sherifi mbetet një zë i veçantë në letërsinë dhe kulturën moderne shqiptar. Sipas tyre krijimtaria letrare e Sherifit, jo pak herë është keqkuptuar dhe margjinalizuar nga audienca, pavarësisht vlerave dhe vargut origjinal.

Gjatë këtij takimi, Sherifi u nderua me mirënjohje nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për kontributin e tij letrar.

“Krijuesi rebel”

Regjisori Fadil Hysaj, tha gjatë fjalës së tij se të flasësh për poezinë e Skënder Sherifit është si të hapësh një dritare në një botë të veçantë -një botë ku liria e mendimit është jo vetëm e pranishme, por e detyrueshme.

“Poezia e tij nuk është thjesht një shprehje artistike, por një akt rebelimi ndaj kufijve të çdo lloj kornize – kulturore, mendore dhe ekzistenciale. Ajo është një frymëzim për të rivizituar realitetin dhe për të kërkuar lirinë e vërtetë, atë të shpërthimit të formave të njohura, ashtu siç ai vetë e ka theksuar: ‘Poetika është arti për të krijuar valë të reja, për të dehur gjuhën deri në të pamundshmen”- tha Hysaj.

Sipas tij, Skënder Sherifi ka lindur në Kosovë, por ai është formuar në një terren ndërkombëtar, duke u zhvendosur dhe ndikuar nga kulturat më të ndryshme. Ky aspekt i veçantë i jetës së tij, tha Hysaj i ka dhënë një dimension kozmopolit poezisë së tij. Me fjalë të thjeshta, ai është poeti i “shpërthimit të kufijve” – kufijve të gjuhës, kulturës dhe mendimit.

Në librin e tij “Love”, shtojë më tej Hysaj, Skënder Sherifi na fton në një udhëtim që kalon nga Egjipti antik i faraonëve deri te Bota e delirante e sotme.

“Ky është një përshkrim që shkon përtej hapësirës dhe kohës. Poema e tij nuk është thjesht një reflektim për dashurinë, por një thirrje për të risjellë një liri të papame, për të rivizituar dhe ripërjetuar botën përmes një gjuhe që është tejet e thyer dhe e çliruar nga çdo normë”- tha ai.

Sherifi, potencoi Hysaj, krijon një univers poetik surreal dhe të egër, që ka të bëjë me realitetin dhe me sfidat e tij.

“Poezia e tij është e pasur me simbolika të thella, ku figura si plisi, lahuta dhe çiftelia që përfaqësojnë traditën shqiptare, duke e përmirësuar atë me një liri mendore që i hap rrugën një dialogu të shumëfishtë me kulturat e tjera të botës. Poeti Sherifi është si një udhëpërshkrues, një udhëtar që nuk ka frikë të kalojë nëpër çdo kufi të mundshëm, për të rikompozuar botën, për ta kuptuar atë nga një këndvështrim i ri”- potencoi regjisori Hysaj, duke shtuar se Sherifi është një figurë e rëndësishme e letërsisë shqiptare dhe botërore.

Skulptori Skënder Boshtrakaj, tha se Sherifi qysh në moshën 20-vjeçare përqafoi ëndërrat dhe sfidat ‘si një përballje jo vetëm si zgjidhje praktike’,  por si një “përballje ironike me realitetin dhe absurditetin e botës e pse jo edhe të kohës”.

Sipas Boshtrakajt, në krijimtarinë e Sherifit ndihet ndikimi i traditës shqiptare marrë në odën shqiptare edhe në Bruksel, por mbi të gjitha salloneve kulturore në Paris.

“Por, njëkohësisht u rrite edhe në sallonet e Parisit, ku u formove me përralla, me vlera, me mite, zakone, por edhe me absurditetet e botës moderne. Rruga jote është një rrjet i fjalëve që përshkon dekada dhe na shfaq jo vetëm realitetet e tua, por edhe realitetet tona shumë të thjeshta, po në të njëjtën kohë tmerrësisht komplekse”- tha Boshtrakaj, duke iu drejtuar poetit Sherifi.

Nderimi nga Komuna

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e ka nderuar Sherifin me mirënjohje të veçantë për kontributin e tij letrar.

Kryetari Rama, tha se Sherifi është prej atyre personalitete që guxojnë të shprehinë mendimet e tyre, atë çfarë e ndien. “Ai ka guxuar t’i shpreh emocionet, ndjenjat: ‘Ja, s’po më kupton askush, më i afërt me ariun se me njeriun’.  Mendoj se shumë prej nesh e ndjejnë të njëjtën gjë çdo ditë, por nuk e thonë. Skënderi (Sherifi) paraqet këtë ndjeshmëri të secilit prej nesh me guxim rebel, pasi aspekti rebel mendoj më së miri e paraqet atë si njeri, si poet e krijimtar që i duhet botës, i duhet përditshmërisë sonë”- tha kryetari Rama.

Rama tha se Sherfi duhet marrë si shembull i guximit për të shprehur mendimet. “Këtë e kam mësuar nga Skënderi dhe e falënderoj shumë”- tha kryetari Rama.

Pamje nga takimi letrar për Skënder Sherifin. Foto: KALLXO.com.

Amaneti i Ibrahim Rugovës

Kurse, gjatë fjalsë së tij shkrimtari Sherifi tha se liria individuale ka qenë gjithmonë në fokus të krijimtarisë së tij letrare. Ndërsa, nuk ka preferuar klanet, grupet apo organizata e ndryshme, pasi, siç tha ai, aty ndihet shumë i kufizuar dhe kushtëzuar.

Sherifi tha se ka eksperimentuar nga temat shqiptare të dëgjuara nëpër odat shqiptare për të parë se si dhe sa është ruajtur trashëgimia arkaike që na kanë lënë të parët e deri në ditët e sotme.

Por, qëndrimi në Prishtinë gjatë viteve 1976-80 dhe takimi me Ibrahim  Rugovën, Sherifi e konsideron si shumë të veçantë në jetë e tij.  Sherifi tha se Rugova ishte ndër të paktë intelektual në Prishtinë që e kuptonin botën tij letrare.

“Pas botimit të dy librave të mi këtu në Prishtinë, më tha shko rri ku të duash për 50 vjet, e kthehu pastaj këtu, se në atë moment- nga 2026-ta kanë me fillua me të kuptua. Ishte amaneti i Rugovës që krijimtaria- literatura ime të jetë një trashëgimi (pjesë) e letërsisë shqipe për brezat që vijnë sepse, thoshte ai është një thesar unik për letërsisë tonë”- tha Sherifi.

Skënder Sherifi. Foto: KALLXO.com.

Kush është Skënder Sherifi

Shkrimtari Skënder Sherifi ka lindur me 16 tetor 1954 në Viti (Kosovë) nga prindër emigrant nga Tropoja e Shqipërisë.  Në moshën një vjeçare bashkë me prindërit e tij, vendoset në Belgjikë (Bruksel) si emigrant politik. Aty Sherifi mbaroi edhe shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1980 diplomoi për gjuhë dhe letërsi frënge.

Pas diplomimit, Sherifi punoi si gazetar në fushën e artit dhe kulturës në radion dhe shtypin belg si dhe  profesor në rajonet e Belgjikës frankofone.

Nga viti 1976 deri më 1980 qëndroi në Paris në Francë si i ftuar i veçantë i poetit të njohur të asaj kohë, Pierre Seghers, falë të cilit edhe u njoh nga afër me rrjedhat dhe emrat e mëdhenj të kulturë franceze dhe asaj botërore.

Në 2002-2003, Sherifi përfshihet në fjalorin e famshëm francez të “Dictionnaire des Littératures Mondiales”. Ndërkaq, me 2008 boton librin ‘Love”, i cili do shpallet nga kritika e gazetës belge “La Libre Belgique” një ndër 10 Veprat më të mira dhe në Belgjikën frankofone.

Më 30 shtator 2020  është nderuar me dekoratën “Mjeshtër i madh i kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, atëherë Ilir Meta.

 Krijimtaria letrare

Talentin e tij poetik, Skënder Sherifi e shpalosi qysh në moshën 18-vjecare në gjimnaz. Sherifi është autori shqiptaro-frankofon i disa veprave letrare të botuara në Paris, Bruksel, Prishtinë e Tiranë.

Konsiderohet si ndër poetët më të veçantë të letërsisë frankofone, por edhe shqipe. Përmbledhjen e parë me titull, “Quelque part quelqu’un” e botoi 1980 në Parisë. Po këtë vit kjo përmbledhje u botua në Prishtinë në gjuhën shqipe me titull “Lojë dhe Kundërlojë” përkthyer nga Ibrahim Rugova.

 Botimet në gjuhën franceze:

  1. “Quelque part quelqu’un” – 1980 – Saint Germain des Prés à Paris – Poésies.
  2. “Oxygène” – 1984 – Saint Germain des Prés à Paris – Poésies.
  3. “Les ateliers du reve” – 2003 – ONUFRI – Tirana ( Centre National des Lettres ).
  4. “Passion” – 2004 – ONUFRI – Tirana ( Centre National des Lettres ).
  5. “Conversations avec la Jeunesse albanaise” – 2006 – EMAL éditions à Tirana – Essai.
  6. “L o v e” – 2008 – L’Esprit des Aigles – à Bruxelles – Poésies et Prose.
  7. “Le Trio Éternel” – 2009 – L’Esprit des Aigles – à Bruxelles – spectacle Théâtre.
  8. “Silenzio” – 2012 – L’Esprit des Aigles – à Bruxelles – Poésies 1972-75.
  9. “Borderline” – 2014 – L’Esprit des Aigles – à Bruxelles – Poésies de 1976.
  10. :L’odyssée de l’amour” – 2015 – L’Esprit des Aigles- à Bruxelles – poésies télégraphiques.
  11. “Corona and co …” – 2021 – L’Esprit des Aigles – à Bruxelles – essai sur la Pandémie.

 Botimet në gjuhën shqipe:

1 . “Lojë dhe Kundërlojë” – 1980 – Rilindja në Prishtinë – përkthyer nga Ibrahim Rugova.

  1. “Oksigjeni” – 1989 – Rilindja në Prishtinë – përkthyer nga Ibrahim Rugova.
  2. “Dega e Pikëlluar” – 1980 – Antologji e Poezisë shqipe e përkthyer nga autori.
  3. “Poezi” – 2008 – Poezi – të botuara tek Faik KONICA – në Prishtinë.
  4. “Ora e Meteorëve” – 1996 – Globus R. në Tiranë ( botimi parë në Shqipëri).
  5. “Ateljetë e Ëndrrave” – 2005 – Globus R. në Tiranë.
  6. “Trio e përjetshme” – 2011 – ILAR në Tiranë – Dramë për skenën shqiptare.
  7. “Love” – 2012 – ILAR në Tiranë – versioni i parë, përkthyer nga Nikolla.
  1. “Silenzio” – 2016 – ILAR në Tiranë – volumi i parë i teksteve të Rinisë, 1972.
  1. “Odiseja e dashurisë” – 2018 – ILAR në Tiranë – Poezi moderne në stil telgrafik, sms.
  2. “Borderline” – 2019 – ILAR në Tiranë ) volumi i dytë i teksteve të Rinisë, 1976.
  1. “Festivali i pasioneve” – 2020 – ILAR në Tiranë – poezi eksperimentale futuriste.
  2. “Love songs. 1” – 2021 – ILAR në Tiranë – me 100 tekste poetike për këngë.
  3. “Love songs. 2” – 2022 – ILAR në Tiranë – vazhdimi me 100 tekste të tjera.
  4. “Love” – 2022 – ILAR në Tiranë – versioni i rikrijuar direkt nga autori.
  5. “Welcome to Paris” – 2023 – ILAR në Tiranë – prozë me kujtimet, takimet e Parisit.
    Pamje nga takimi letrar për Skënder Sherifin. Foto: KALLXO.com.

     

 

 


Postuar

, , ,

nga