RRUFE

Gjykimi ndaj dy zyrtarëve të “Eko-Regjionit”, administrohen provat e propozuara

Dy zyrtarë të kompanisë “Eko-Regjioni”, Salih Shala dhe Nehat Basha, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve më 21.10.2024 në Gjykatën e Prizrenit.

Salih Shala si menaxheri i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Dragash dhe Nehat Basha, kryeshef ekzekutiv i ”Eko-Regjionit” në Prizren po përballen me akuza për keqpërdorim të detyrës.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, pas shikimit të shkresave të lëndës dhe përgatitjes për seancë ka shprehur dilema lidhur me propozimin si në aktakuzë për provat materiale. Përkatësisht, shabllonit të kërkesës për furnizim dhe shërbime të datës 19.08.2019 dhe shablloni i datës 27.08.2019.

Gjyqtarja Krusha ka nxjerrë një dokument, i cili është lëshuar nga KRM “Eko-Regjioni” më 27.08.2019, dhe deklaroi se përmbajtja e këtyre provave nuk përkon me provat e propozuara.

Me këtë rast gjyqtarja Krusha kërkoi nga prokurori i shtetit që të deklarohet lidhur me këtë rrethanë, gjegjësisht me këto prova.

Lidhur me këtë, prokurori Genc Nixha tha se sot nga ai po kërkohet dhe po konstatohet që disa prova nuk janë në shkresat apo nuk janë të emërtuara si duhet. Ai shtoi se pasi që ishte dy ditë pushim nga mbajtja e seancës së fundit, tha se këto nuk i ka lexuar e për të dhënë përgjigje i duhej që këtë lëndë ta shqyrtojë faqe për faqe.

Gjatë deklarimit të tij prokurori propozoi që të vazhdohet me leximin e provave të cilat nuk janë kontestuese.

Pas kësaj, trupi gjykues vazhdoi me leximin e provave të tjera, përkatësisht leximin e nëntë kontratave.

Tutje, palët u deklaruan se nuk kanë propozime të tjera për prova materiale.

Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 24.10.2024.

Aktakuza Salih Shalën dhe Nehat Bashën po i ngarkon se si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin, nuk i përmbushin detyrat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.

Aktakuza thotë se i  pandehuri Salih Shala më 27.08.2019 i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.

Sipas Prokurorisë, ky i fundit kërkesën e miraton më 28.08.2021, me ç’rast kompanisë KRM “Eko-Regjioni” në Prizren i shkakton dëm material prej 2,700 euro.

Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Nehat Basha akuzohet se nga data 01.01.2019 e deri më 01.08.2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.