RRUFE

Putini mbledh aleatët për ta “neutralizuar presionin” e Perëndimit

Imagjinojeni se ju jeni Vladimir Putini.

Perëndimi ju ka izoluar pse keni pushtuar Ukrainën. Sanksionet synojnë që ta pamundësojnë qasjen e ekonomisë tuaj në tregjet globale.

Dhe ka një fletë-arrest për ju nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Dhe si mund ta demonstroni se presioni ndaj jush nuk po funksionon? Mbajeni një samit, shkruan transmetuesi britanik, BBC, derisa analizon nikoqirllëkun e Putinit për shtetet e BRICS-it.

Gjatë javës, Putini do të presë në qytetin Kazan më shumë se 20 liderë shtetesh në kuadër të samitit të ekonomive në zhvillim. Në mesin e të ftuarve janë presidenti i Kinës, Ji Jinpig, kryeministri i Indisë, Nerandra Modi, dhe presidenti iranian, Masopud Pezeshkian.

Kremlini e ka quajtur njërën pej “ngjarjeve më të mëdha të politikës së jashtme ndonjëherë” që mbahet në Rusi.

“Mesazhi i qartë është se kanë dështuar përpjekjet për izolimin e Rusisë”, mendon Chris Weafer, partner themelues i firmës për konsultime “Macro-Adivosry”.

“Është pjesë e madhe e mesazhit nga Kremlini se Rusia po u bën ballë sanksioneve. Ne e dimë se poshtë sipërfaqes ka krisje të mëdha. Por në nivelin gjeopolitik, Rusia i ka gjithë këta miq dhe ata do të jenë partnerë të Rusisë”.

Atëherë, kush janë miqtë e Rusisë? 

BRICS është shkurtesa për Brazilin, Indinë, Kinën dhe Afrikën Jugore. Grupimi, shpesh i referuar edhe si një kundërpeshë ndaj botës së udhëhequr nga Perëndimi, është zgjeruar me përfshirje të Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Edhe Arabia Saudite është ftuar që të bëhet pjesë.

Shtetet e BRICS-it kanë 45 për qind të popullsisë së botës. Bërë bashkë, ekonomitë e tyre kanë vlerën e më shumë se 22 trilionë dollarë amerikanë. Kjo shumë është sa 28 për qind e ekonomisë botërore.

Zyrtarët rusë kanë treguar se 30 shtete të tjera duan t’i bashkohen BRICS-it ose të kenë lidhje më të ngushta me klubin. Disa nga këto vende do të marrin pjesë në samit. Në Kazan këtë javë pritet të flitet shumë për BRICS-in që përfaqëson “shumicën globale”.

Por, përveçse i jep Vladimir Putinit momentin e tij në skenën gjeopolitike, çfarë ka gjasa të arrijë krejt ngjarja?

I prirë për të lehtësuar presionin nga sanksionet perëndimore, udhëheqësi i Kremlinit do të shpresojë të bindë anëtarët e BRICS-it që të miratojnë një alternativë ndaj dollarit për pagesat globale.

E mira e së keqes

“Shumë nga problemet me të cilat përballet ekonomia e Rusisë janë të lidhura me tregtinë dhe pagesat ndërkufitare. Dhe shumë prej tyre janë të lidhura me dollarin amerikan”, thotë Weafer.

Por kritikët tregojnë për dallimet brenda BRICS-it. “Me mendësi të ngjashme” nuk është fraza që do të mund ta përdornit për të përshkruar anëtarësimin aktual.

“Në një farë mënyre është një punë e mirë për Perëndimin që Kina dhe India nuk mund të bien dakord kurrë për asgjë, sepse nëse ato dyja do të ishin vërtet serioze, BRICS-i do të kishte ndikim të madh”, spikat Jim O’Neill, ish-krye-ekonomist i “Goldman Sachs”.

“Kina dhe India po bëjnë çmos për të shmangur dëshirën për të sulmuar njëra-tjetrën shumë herë. Përpjekja për t’i bërë ato të bashkëpunojnë vërtet në çështjet ekonomike është një sfidë e pafund”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

, ,

nga

Etiketa: