Dy aksidente me fatalitet kanë ndodhur në 24 orët e fundit në Kosovë, me tre të vdekur.
Një person ka vdekur e një tjetër ka pësuar tjetër lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ndodhi mes dy automjeteve. Aksidenti ndodhi në rrugën Gjilan-Kamenicë, më 21.10.2024.
Personi i cili pati lëndime të lehta pas trajtimit mjekësor u arrestua nga Policia e Kosovës.
“I dyshuari mashkull kosovar i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Një rast tjetër aksident me fatalitet ndodhi mbrëmjen e së hënës (21.10.2024) në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” në Prizren.
Dy persona mbetën të vdekur dhe tre të lënduar si pasojë e aksidentit mes dy veturave dhe një kamioni.
“Me vendim të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”- thuhet në raportin policor.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferët që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës, siç thonë për të pasur një siguri më të madhe në trafik dhe për të shmangur rastet e tilla tragjike.