RRUFE

Jep dorëheqje drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi

Ka dhënë dorëheqje drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, ndonëse ndaj tij nuk ishte marrë ndonjë masë as pas aktakuzës që Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur ndaj tij e as pas disa protestave e peticioneve të kardiologëve që kërkonin shkarkimin e tij.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) konfirmoi për KALLXO.com dorëheqjen e Kamberit dhe tha se së shpejti do të caktohet ushtruesi i detyrës në këtë pozitë.

QKUK nuk ka ofruar përgjigje për arsyet e dorëheqjes.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga vetë Kamberi, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

Kamberi dhe kolegu i tij, Edmond Haliti, i cili është shef i shërbimit të Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë në këtë Klinikë, akuzohen nga Prokuroria për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës.

Të dy kardiologët dyshohen se në bashkëpunim dhe me vetëdije kanë bërë veprime diskriminuese ndaj kardiologut Imri Jashari.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) kishte thënë se i është drejtuar Prokurorisë së Prishtinës për të konfirmuar nëse ndaj tyre është ngritur aktakuzë.

Prokuroria ka konfirmuar për KALLXO.com më 21.08.2024 se ka pranuar kërkesën nga QKUK dhe se të njëjtit i ka informuar për çështjen në fjalë.

E në një përgjigje tjetër më 22.08.2024, QKUK-ja tha se është duke analizuar çështjen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas kësaj përgjigjeje, QKUK nuk ka ofruar më informacione për rastin, pavarësisht disa kërkesave që KALLXO.com i ka dërguar.

Kamberi dhe Haliti, në bazë të aktakuzës, dyshohen se i kanë ndaluar hyrjen në sallë kardiologut Imri Jasharu, duke ia kufizuar ushtrimin e detyrës.

“Në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit të Punës kanë bërë veprim diskriminues të konstatuar nga raporti zyrtar i Inspektoratit të Punës, në atë mënyrë që pas një çështjeje të ngritur nga i dëmtuari në lidhje me një situatë eventuale të konfliktit të interesit, të pandehurit ia kanë kufizuar të dëmtuarit të drejtën që të ushtrojë detyrën e tij zyrtare, e për të cilën posedon kontratë pune me përshkrim të detyrave, që të hyjë në sallë për implementimin e devicave” – thuhet në aktakuzë.

Protesta për shkarkim të drejtorit

Drejtori i Kardiologjisë ishte i padëshiruar nga disa kolegë të tij në këtë Klinikë, të cilët e shihnin atë si të padenjë për të udhëhequr Klinikën.

Këtë pakënaqësi, disa prej tyre e patën shprehur përmes një proteste më 29.09.2023 duke kërkuar shkarkimin e tij. Protesta erdhi pasi që 18 kardiologë kishin nënshkruar një kërkesë për shkarkimin e Kamberit më 11.07.2023, të cilën e kishin dërguar në adresë të drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Ata kanë drejtuar gishtin te drejtori Kamberi për paaftësi menaxheriale, diskriminim në baza gjinore, ikje nga përgjegjësia profesionale, përkrahje të shkaktarit të dhunës në Klinikë e rol përçarës.

Kamberi ka mohuar akuzat në vazhdimësi duke thënë se kërkesa për shkarkim është nga disa mjekë nga reparti i Kardiologjisë Invazive, “të cilët duan t’i ruajnë privilegjet e tyre”.

Ata po ashtu kanë kërkuar shkarkimin e shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti, pasi sipas tyre i njëjti para se të përzgjidhej në këtë pozitë ka ushtruar dhunë fizike ndaj kolegut.

Ahmeti akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kolegut të tij, kardiologut Fisnik Veliu.

Drejtori Lulzim Kamberi në një reagim kishte thënë se kërkesa e këtij grupi kardiologësh për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.

Bordi i SHSKUK-së pati diskutuar kërkesën për shkarkimin e Kamberit në mbledhjen e mbajtur më 12.07.2023 bashkë me drejtorin Azizi. Ata patën vendosur që të formohej një grup vlerësues për të vërtetuar nëse pretendimet qëndrojnë, sepse peticioni nuk mund të merret si bazë për të ndërmarrë veprime kundër një menaxhmenti të një klinike.


Postuar

nga