RRUFE

“Fustani Rozë”, një shfaqje për ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit

Në muzeun e qytetit të Mitrovicës, më 21.10.2024, është dhënë shfaqja “Fustani Rozë” me regji të Donikë Ahmetit.

Kjo shfaqje ka treguar historinë e një vajze të re, e cila ka filluar betejën e saj me sëmundjen e kancerit të gjirit.

Regjisorja Donikë Ahmeti për KALLXO.com tha se me krijimin e kësaj shfaqjeje ndjehet krenare.

“Për mua është një shfaqje, por për dikë është një luftë për jetën, kështu që ndjehem krenare që jam pjesë e kësaj shfaqjeje dhe e kësaj fushate për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit” – ka thënë Ahmeti.

Fokusi në këtë shfaqje ishte që të theksohet roli vendimtar i diagnostikimit të hershëm, duke kthyer në vëmendje gjithmonë se këta persona kanë nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe ndërgjegjësim në rrugën drejt shërimit.

Me ndihmën e dritave të Skender Latifit, skenografia krijoi një atmosferë që nxit një bisedë të domosdoshme për shëndetin dhe jetën.

Përveç shfaqjes e cila u dha për të gjithë, të pranishëm kishte edhe nga Komuna e Mitrovicës së Jugut, si dhe doktorë nga Reparti i Onkologjisë.

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, tha se diagnostikimi i hershëm është vendimtar për çdo gjë.

“Nëse zbulohet gjithçka në fazat e para, atëherë është e parandalueshme nëse i respektojmë me kohë masat” – tha Fahri Shabani.

Ndërsa doktori nga Reparti i Onkologjisë, Bedri Osmani, tregoi se kanceri i gjirit është një sëmundje e heshtur.

“Kanceri i gjirit është një sëmundje që manifestohet pa ndonjë dhimbje, por me ndihmën e shumë organizatave, mediave, kemi arritur në një fazë deri te zbulimi i hershëm i kancerit” – tha Osmani.

Doktori Bedri Osmani tregoi se nuk duhet anashkaluar edhe gjinia mashkullore sa i përket prekjes nga kanceri i gjirit.

“Është sëmundje shumë e shpeshtë te gjinia femërore, por edhe te meshkujt nuk duhet të neglizhohet, pasi diku në 100 gra të sëmura nga kanceri i gjirit diagnostikohet një mashkull”-potencoi Bedri Osmani.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Drita Kadriu, theksoi se gjithmonë është një pyetje e brendshme se ku e gjejnë të prekurat forcën të luftojnë këtë sëmundje.

“Forca e tyre e brendshme, që i vendos këto në një lëvizje, na japin një motiv që së bashku ta ndajmë lumturinë dhe gëzimi me çdo grua që ballafaqohet me këtë sfidë” – ka thënë Drita Kadriu.

Shfaqja u interpretua nga aktorët Arbnora Ademi, Agnes Nokshiqi, Qëndresa Spahiu dhe Donikë Ahmeti.